Rama reagon për rastin e Arlinda Zekajt: Siguria e grave duhet të jetë garanci e shtetit!

Rama reagon për rastin e Arlinda Zekajt: Siguria e grave duhet të jetë garanci e shtetit!

Written by

in

Rama reagon për rastin e Arlinda Zekajt: Siguria e grave duhet të jetë garanci e shtetit!

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar pas vrasjes së gruas Arlinda Zekajt në Pejë, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë njerëzore dhe alarm serioz për mënyrën se si institucionet e trajtojnë sigurinë dhe dinjitetin e grave.

Në reagimin e tij, Rama ka theksuar se fakti që viktima kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej, e bën rastin edhe më tronditës, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka kërkuar hetim të plotë të krimit, si dhe shqyrtim të çdo veprimi apo mosveprimi institucional që i ka paraprirë ngjarjes.

Rama ka shprehur shqetësimin e tij edhe në aspektin personal, duke theksuar se, si baba që ka vendosur ta sjellë vajzën e tij për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen në Kosovë, e përjeton me shqetësim të thellë një ngjarje të tillë.

“Si baba, që kam vendosur ta sjell vajzën time të jetojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e saj në Kosovë, e përjetoj këtë ngjarje me shqetësim të thellë. Sepse siguria e saj, sikurse e çdo vajze dhe gruaje në këtë vend, nuk duhet të varet nga fati, nga rrethanat apo nga gatishmëria individuale e një zyrtari për të reaguar. Ajo duhet të jetë garanci e shtetit”.

Ai ka bërë thirrje që shoqëria të mos e normalizojë dhunën ndaj grave, ndërsa institucionet të ndërtojnë mekanizma që reagojnë me kohë, me përgjegjësi dhe pa kompromis.

“Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shoqëri të drejtë, përderisa gratë vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje dhe ne vazhdojmë të numërojmë viktima”, ka shkruar Rama.