Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike, duke kërkuar llogaridhënie për mungesën e investimeve dhe mosrealizimin e projekteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore.
Sipas Ramadanit, nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për importin e energjisë elektrike.
“Janë hiq më pak se 1 miliard e 55 milionë euro që është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. A e dini që me 1 miliard euro, pothuajse, ishte ndërtuar komplet një termocentral i ri?”, ka thënë Ramadani.
Ai ka përmendur edhe shpenzimet vetëm për një ditë, duke bërë të ditur se më 12 nëntor Kosova ka paguar 938 mijë euro për blerjen e energjisë nga jashtë.
“Po flasim për pak më pak se 1 milion euro të blerjes së rrymës në Kosovë, e që mund të jetë një prej ditëve që më së paku ka kushtuar”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka kritikuar edhe vendimin për ndërprerjen e kontratës me kompaninë ContourGlobal, e cila parashihte ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.
“Pse nuk u ndërtua një termocentral i ri? Kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë për ta mbyllur projektin për termocentralin e ri. Me këtë e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete”, është shprehur deputeti.
Ai ka kërkuar që Qeveria të raportojë në Kuvend për vonesat në projektet energjetike, si dhe të tregojë se cilat masa do të ndërmerren për të rritur prodhimin vendor dhe për të zvogëluar varësinë nga importi.
“Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe me rritje të shpenzimeve familjare. Prandaj, Qeveria duhet të na japë llogari në Kuvend dhe qytetarëve të Kosovës për çështje konkrete dhe rezultate të munguara”, ka theksuar Ramadani.
Burimi: Dukagjini
