Raporti i Policisë: Kanosje me thikë, sulme fizike e kërcënime ndaj shtatë grave në pesë komuna

Raporti i Policisë: Kanosje me thikë, sulme fizike e kërcënime ndaj shtatë grave në pesë komuna

Written by

in

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, në disa komuna të vendit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet janë regjistruar në Prishtinë, Pejë, Klinë, Gjakovë dhe Vushtrri, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Prishtinë, më 2 nëntor, një grua ka raportuar se është kanosur me thikë nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe gjatë kontrollit policor te ai është gjetur një thikë dhe 0.36 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje në Prishtinë ishte raportuar më 1 nëntor. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar më 2 nëntor dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Pejë, më 1 nëntor, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Ajo ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

Po atë ditë, në një rast tjetër në Pejë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Sipas Policisë, nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit.

Raste të tjera janë raportuar edhe në Klinë dhe Gjakovë.

Në Klinë, një burrë është arrestuar më 2 nëntor nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje dhe është dërguar në mbajtje. Ndërsa në Gjakovë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë në familje ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri.

Në Vushtrri, një grua ka raportuar se është kanosur verbalisht nga një burrë.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë të armës me gaz. Gruaja është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Burimi: Dukagjini