Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve të mediave gjermane se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore, raporton BBC.
Sipas mediave gjermane, raportet e inteligjencës për një lëshim të mundshëm brenda 60 ditëve të ardhshme janë shpërndarë mes vendeve të NATO-s gjatë këtij muaji.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se raportime të tilla “nuk janë të reja, por mbeten po aq tronditëse”, ndërsa qeveria gjermane ka bërë të ditur se ato po trajtohen me shumë seriozitet.
Sipas BBC-së, mediat gjermane NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, duke cituar burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës, kanë raportuar se sateliti rus, i quajtur “Sputnik-S”, dyshohet se është i pajisur me një kokë bërthamore dhe mund të përdoret për të penguar ose shkatërruar satelitë të tjerë.
“Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë sa i përket hapësirës”, deklaroi Rutte gjatë një konference për media në Berlin.
Ai theksoi se NATO-ja ka disa mundësi reagimi dhe se aleanca do të vazhdojë të vlerësojë kapacitetet e saj të parandalimit dhe mbrojtjes.
Ndërkaq, kancelari Merz nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi raportimet, por tha se ato tregojnë nivelin e përshkallëzimit që Rusia është e gatshme të ndërmarrë.
Nga ana tjetër, Kremlini i ka hedhur poshtë raportimet. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se lajmet që bazohen në burime të panjohura “vështirë se ia vlen të merren seriozisht”.
Ambasada ruse në Berlin i ka cilësuar akuzat si të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike.
BBC kujton se Rusia është nënshkruese e Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë.
Në vitin 2024, SHBA-ja e kishte akuzuar Rusinë për zhvillimin e një arme bërthamore kundër satelitëve, akuza të cilat Moska i kishte mohuar.
Burimi: RTKLive
