
Gazeta Sinjali raportoi për vdekjen e 26-vjeçares Blerta Hyseni, e cila ndërroi jetë në orët e para të së hënës, pasi ishte ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë, në një rast ku u sekuestruan mbi 100 gramë kokainë e dyshuar. Pas raportimit të Sinjalit, Spitali Rajonal i Prizrenit ka dalë me një njoftim zyrtar, ku ka bërë të ditura detajet e trajtimit të saj para vdekjes.
Sipas njoftimit të spitalit, e reja ishte dërguar për herë të parë në Emergjencë rreth orës 19:00 të së dielës, nga Policia e Kosovës. Aty iu nënshtrua disa ekzaminimeve mjekësore, përfshirë radiografinë e pjesës torako-abdominale, ultrazërin e abdomenit dhe ekzaminimin gjinekologjik.
Spitali ka bërë të ditur se nga këto ekzaminime nuk janë evidentuar gjetje pozitive dhe se, në bazë të vlerësimit mjekësor, pacientja kishte qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe ishte liruar nga Emergjenca.
Por, disa orë më vonë, rreth orës 00:45, ajo është dërguar sërish në spital, kësaj radhe nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë janë ndërmarrë masat e reanimimit kardiopulmonar dhe është konsultuar edhe mjeku anesteziolog, por, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, vdekja e saj është konstatuar.
Ndërkohë, Gazeta Sinjali ka siguruar detaje të tjera për rrethanat që i paraprinë kësaj ngjarjeje.
Rasti kishte nisur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur hetuesit e antidrogës ndaluan në pikën kufitare të Vërmicës një veturë BMW X6, në të cilën ndodheshin Blerta Hyseni dhe Adnan Podvorica.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën dhe u sekuestruan mbi 100 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e cila, sipas burimeve të Sinjalit, ishte e kamufluar në veturë.
Pas ndalimit, hetuesit kishin ngritur dyshime se 26-vjeçarja mund të kishte gëlltitur apo fshehur në trup substanca narkotike. Për këtë arsye, ajo ishte dërguar për ekzaminime mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Një tjetër detaj që ka mësuar Sinjali është se gjatë trajtimit të saj ishte ngritur edhe dyshimi për një mbidozë të rëndë nga substancat narkotike. Ky dyshim, sipas burimeve, ishte përmendur nga një mjek, por ende nuk është konfirmuar si shkak i vdekjes.
Pas vdekjes së 26-vjeçares janë angazhuar njësitë hetimore dhe ato të kriminalistikës, ndërsa me urdhër të Prokurorisë trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Spitali Rajonal i Prizrenit ka shprehur keqardhje për rastin dhe ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me organet kompetente, duke vënë në dispozicion dokumentacionin dhe informacionet e nevojshme për sqarimin e rrethanave.
Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse Blerta Hyseni kishte gëlltitur substanca narkotike dhe as shkaku i saktë i vdekjes së saj. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa përgjigjet pritet të dalin nga ekzaminimet mjekoligjore dhe hetimet e Prokurorisë.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali