
Një grua 43-vjeçare ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar pas marrjes së një infuzioni në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Gruaja sipas raportimeve, pasi ka përfunduar marrjen e infuzionit, gjendja e 43-vjeçares ishte përkeqësuar, për çka ishte nisur me autoambulancë drejt Spitalit të Pejës.
Rasti ka ndodhur më 13 nëntor, rreth orës 13:45, ndërsa pas arritjes në spital, mjekët kanë konstatuar se gruaja ishte pa shenja jete.
Ndërkohë, lidhur me shoqërimin e autoambulancës nga një patrullë policore, për Klan Kosova ka folur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj.
Ai ka bërë të ditur se patrulla policore kishte asistuar në transportimin e autoambulancës me kërkesë të stafit të QKMF-së në Klinë, pasi automjeti nuk i kishte funksionale pajisjet e sinjalizimit emergjent.
“Atë që mund të ju konfirmojmë aktualisht lidhur me këtë çështje është se, me kërkesë të stafit të QKMF-së në Klinë, një patrullë policore e ka shoqëruar autoambulancën deri në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Kjo asistencë është kërkuar për shkak se, në atë moment, sipas tyre, autoambulanca nuk i kishte funksionale pajisjet e sinjalizimit emergjent”, ka deklaruar Elezaj.
Rrethanat e rastit mbeten nën hetim, ndërsa pritet të sqarohen të gjitha detajet që lidhen me vdekjen e 43-vjeçares dhe transportimin e saj drejt spitalit.