Kryetari i Gjykatës së Pejës, Shemsedin Haxhijaj, thotë se nuk ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Migjen Kastrati, pasi sipas tij, nuk janë konstatuar lëshime. Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka marrë në shqyrtim dosjen për dyshimet mbi mosveprimet e mundshme institucionale në rastin e viktimës.
Nën masa të rrepta sigurie dhe përcjelljen e njësisë speciale FIT të Policisë së Kosovës, Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i së ndjerës Arlinda Zekaj, është sjellë të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, ku ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar ndaj tij për veprën penale të kanosjes.
Megjithatë, Sylaj nuk është deklaruar për fajësinë, pasi seanca është shtyrë për 24 nëntor, në orën 13:00, pas kërkesës së avokatit të familjes së viktimës, Besnik Berisha.
Sipas kronologjisë së rastit, aktakuza ndaj Sylajt ishte ngritur më 23 tetor, dy ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, ndërsa në Gjykatën Themelore në Pejë kishte mbërritur më 26 tetor, një ditë pas vdekjes së saj.
Sylaj akuzohet se kishte kanosur ish-bashkëshorten e tij, përfshirë edhe kërcënime me jetë. Ndërkohë, për vrasjen e Arlinda Zekajt dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Haxhijaj: Nuk kemi iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Kastrati
Në lidhje me trajtimin e mëhershëm të rastit, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, ka deklaruar se nuk ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Migjen Kastrati, i cili ishte marrë më parë me rastin e viktimës.
“Unë si kryetar po të tregoj që nuk kam hapur procedurë disiplinore. Arsyeja është se s’ka të gjetura për me hap një procedurë”, ka deklaruar Haxhijaj.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë në shqyrtim dosjen lidhur me dyshimet për mosveprime dhe neglizhencë të mundshme nga zyrtarë policorë, prokurorë dhe gjyqtarë, në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
I pyetur për përgjegjësinë e mundshme disiplinore, Haxhijaj ka ritheksuar qëndrimin e tij se nuk janë konstatuar lëshime që do të arsyetonin inicimin e një procedure të tillë.
“Kur unë them se s’ka lëshime, për ata nuk u hap procedurë”, ka thënë ai.
Mosinicimi i procedurës disiplinore nga kryetari i Gjykatës është i ndarë nga shqyrtimi që po i bëhet dosjes nga Prokuroria Speciale.
Pas shtyrjes së seancës, Jeton Sylaj është larguar nga objekti i Gjykatës Themelore në Pejë nën përcjellje policore, pa u deklaruar për akuzën.
Shqyrtimi fillestar ndaj tij pritet të mbahet më 24 nëntor, duke filluar nga ora 13:00.
Burimi: RTKLive
