
Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka bërë të ditur se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual, ndonëse një dokument i tillë kërkohet me ligj për menaxhimin e rasteve.
Gjatë raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Kelmendi është pyetur nga anëtari i komisionit, Adnan Rrustemi, nëse për rastin konkret kishte pasur plan individual.
Kelmendi u përgjigj se ligji e kërkon një plan të tillë, por që në rastin konkret ai kishte munguar, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.
Anëtarja e komisionit nga PDK-ja, Besa Bytyqi, e pyeti Kelmendin për arsyet pse rasti i të miturit kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale dhe nëse brenda institucionit kishte procedura për mbikëqyrjen e rasteve të dhunës në familje.
Kelmendi tha se rasti ishte raportuar si dhunë në familje, ndërsa vlerësimi i nivelit të rrezikshmërisë bëhet nga Policia.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse kishte pasur vlerësime periodike të punës së menaxherëve të rasteve nga ana e mbikëqyrësve.
Kica-Xhelili e pyeti gjithashtu se përse kishte deklaruar se pala do të paditej për shpifje.
Në anën tjetër, i pyetur nga Eman Rrahmani për numrin e rasteve aktive të dhunës në familje që trajtohen në Qendrën për Punë Sociale, Kelmendi bëri të ditur se aktualisht janë 50 raste aktive, nga gjithsej 73 raste të dhunës.
Gjatë pjesës së pyetjeve që kanë të bëjnë me viktimën dhe të miturin, mbledhja e komisionit u zhvillua me dyer të mbyllura për media.
Pas përfundimit të intervistimit të Kelmendit, para komisionit pritet të intervistohet edhe Shpat Morina, zyrtar i Qendrës për Punë Sociale në Pejë.