
Forca e Sigurisë së Kosovës ka lëshuar njoftim zyrtar për incidentin e ushtarit që dyshohet se u vetplagos, rast ky që u raportua sot në media.
Sipas komunikatës, rasti ka ndodhur më herët, por nuk është bërë e ditur se a është denoncuar në Polici dhe cilat janë veprimet e ndërmarra, raporton Klankosova.tv
“Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së.”
Tutje, thuhet se FSK gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit.
Njoftimi vazhdon me informacione për procedurat në raste të tilla, por megjithatë s’ka detaje tjera lidhur me incidentin në fjalë, transmeton Klankosova.tv
“Po ashtu, në secilin aktivitet të FSK-së, konform procedurave standarde në fuqi i bashkëngjiten ekipet mjekësore për evakuim mjekësor potencial. Të gjitha masat e sigurisë janë në linjë me standardet e sigurisë të FSK-së, njëjtë sikur ato të NATO-s.
FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut. Njëkohësisht, FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe garantojë ruajtjen e personelit.”