
Prokuroria Themelore në Gjilan është deklaruar lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë, ku një 53-vjeçar dyshohet se privoi nga jeta djalin e tij 29-vjeçar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ndodhi më 11 tetor, rreth orës 19:20, ndërsa motivi i vrasjes ende nuk dihet.
I dyshuari, me Remzi Arifi dyshohet se e vrau me armë djalin e tij, B.A. Pas kryerjes së veprës, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjendet në arrati.
“Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar. I dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv
Prokurori i Shtetit ka lëshuar po ashtu urdhëresë për autopsinë e trupit të pajetë të viktimës.
Sipas Prokurorisë, as i dyshuari dhe as viktima nuk kanë pasur të kaluar kriminale, ndërsa nuk është raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje mes tyre.
“I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike”, u tha në njoftim./Klankosova.tv