
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për vrasjen e rëndë që tronditi sonte fshatin Vitomiricë të Pejës, ku 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj u gjet e vrarë në shtëpinë e saj, pak minuta pasi ishte kthyer nga Stacioni Policor, ku kishte denoncuar dhunë në familje.
Sinjali ka mësuar se në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, i cili pas intervistimit nga hetuesit policorë është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Klinë për 48 orë.
Ndërkohë, lidhur me rastin, për Sinjalin ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet relevante, si dhe kryeprokurorja bashkë me prokuroren e Krimeve të Rënda.
“Ka ndodhur një rast i vrasjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet relevante, kryeprokurorja me prokuroren e Krimeve të Rënda”, ka deklaruar Nikçi për Sinjalin.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, viktima ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë më 25 tetor, rreth orës 19:00, ku ishte intervistuar nga Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje.
Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi me patrullën policore, ndërsa vetëm rreth dhjetë minuta më vonë, Policia ishte njoftuar për vrasjen e saj.
Në dhomën e gjumit, zyrtarët policorë e kishin gjetur 49-vjeçaren pa shenja jete. Sipas dyshimeve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, e kishte goditur me sëpatë në kokë dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndalimi i bashkëshortit të viktimës përbën zhvillimin më të fundit në këtë rast, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura zyrtarisht dyshimet konkrete që kanë çuar në ndalimin e tij.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë t’ju informojë për zhvillimet e reja lidhur me këtë rast tragjik.
Burimi: Sinjali