Reaksioni alergjik pas infuzionit dyshohet se i mori jetën pacientes në Klinë – deklarohet QKMF-ja

Reaksioni alergjik pas infuzionit dyshohet se i mori jetën pacientes në Klinë - deklarohet QKMF-ja

Written by

in

Reaksioni alergjik pas infuzionit dyshohet se i mori jetën pacientes në Klinë - deklarohet QKMF-ja

Një paciente ka ndërruar jetë pasi ka pësuar reaksion alergjik menjëherë pas fillimit të marrjes së infuzionit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nëna Terezë” në Klinë.

Përmes një njoftimi zyrtar, QKMF-ja e këtij qyteti ka bërë të ditur se pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion, transmeton Klankosova.tv.

Sipas njoftimit, menjëherë pas fillimit të terapisë, pacientja kishte shfaqur reaksion alergjik dhe ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, kishte ndërmarrë trajtimin e nevojshëm.

“Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.

Janë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.

Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë.

Rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente. QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t’u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar”, thekson kjo qendër, transmeton Klankosova.tv.

Institucioni ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes, duke theksuar se nuk do të japë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimeve.