Në kuadër të këtij programi është prezantuar edhe pulla e re postare kushtuar “Akordeve të Kosovës”, e realizuar në bashkëpunim ndërmjet Radiotelevizionit të Kosovës dhe Postës së Kosovës.
Hyrije Ademi, përfaqësuese e Filatelisë së Postës së Kosovës dhe dizajnuesja e pullës, ka treguar se ideja kryesore ishte që përmes dizajnit të paraqitej rilindja e festivalit pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje.
“Duke marrë parasysh se Akordet kanë pushuar një kohë të gjatë mendimi i parë që më erdhi në mëngjes gjatë dizajnimit të pullës postare ishte: si ta paraqes rilindjen e Akordeve të Kosovës? Dhe ishte një kristal, një kristal që ishte ngjitur me fije ari pas një pushimi shumë të gjatë”, ka shpjeguar ajo për konceptin e dizajnit.
Pulla postare, e cila ka hyrë në qarkullim nga kjo e premte, përbëhet nga një pullë dhe zarfi i ditës së parë të emetimit, duke u bërë pjesë e arkivit filatelik të Kosovës.
Ajo tutje ka thënë se gjërat që pushojnë, gjërat që gjenden nën tokë dhe pastaj dalin në sipërfaqe janë si një kristal të cilit kur t’ia heqësh pluhurin, ai do të shkëlqejë edhe më shumë.
“Në këtë rast edhe pulla postare, këto elemente të pullës postare do të shkëlqejnë sikurse Akordet e Kosovës që shpresoj të mos pushojnë më”, ka shtuar ajo.
Në “Red Carpet” janë prezantuar edhe disa prej pjesëmarrëseve të Festivalit të Fëmijëve “Akordet e Kosovës”, të cilat janë shprehur të emocionuara që do të performojnë në një skenë të tillë madhështore.
Edicioni i katërt i “Akordeve të Kosovës” nis sonte në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Burimi: RTKLive
