Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, i kanë zgjedhur vetë avokatët e tyre dhe janë mbrojtur veç e veç në procesin gjyqësor në Hagë.
Duke folur për mundësinë që ata të mbroheshin bashkërisht, Rexhaj, i ftuar në “FIVE”, ka thënë se kryeministri Albin Kurti kishte shprehur një ide të tillë, por ka theksuar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se ajo do të ishte zgjidhja e duhur.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës u janë përgjigjur plotësisht kërkesave të Dhomave të Specializuara në Hagë, veçanërisht në aspektin financiar.
Rexhaj ka përmendur edhe rastin e ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina, duke e krahasuar përfshirjen e shtetit kroat në procesin e tij gjyqësor me qasjen që, sipas tij, po ndjek Kurti lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Avokatët të cilët i kanë zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi i kanë zgjedh vetë me dëshirën e tyre dhe janë mbrojtur secili veç e veç – ideja e tyre ka qenë që të mbrohen veç e veç ndërkaq ideja jonë dhe e kryetarit Albin Kurti ka thënë po ndoshta nuk do thotë se ia ka qellu, që ata do të duhej të mbroheshin bashkë se në fund ata u dënuan sipas vijës hierarkike që kanë pas. Republika e Kosovës, institucionet tona i kanë qëndruar karshi kërkesave të atyre në Hagë në plotni, në aspektin financiar gjithsesi. Mirëpo edhe në atë që çlirimtarët i kanë marrë avokatët më të mirë që kanë dashtë tash ka diskutime se a do duhej të kishte avokatë vendor a të huaj. Rasti i Gotovinës kur është involvuar shteti edhe atëherë shteti ka dashtë me u involvu edhe institucionalisht brenda po nuk e kanë lënë e di që Ministria e Drejtësisë sonë pa pas monitorues – pjesëmarrja shtetërore e Kroacisë ka qenë në Apel e po them që Kurti po e merr shembullin e mirë të Kroacisë – janë raste të ndryshme por në kuptimin e përgjithshëm po”, u shpreh Rexhaj.
Burimi: Dukagjini
