Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj, në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMMKM), ka përfunduar projektin e rindërtimit të bunkerit në Pikën 6 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc.
Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së në Ferizaj, bunkeri është rikthyer në vendin e tij rreth një vit pasi ishte shkatërruar.
Projekti është realizuar në dy faza. Në fazën e parë, punimet u kryen nga OVL-UÇK dega në Ferizaj, ku u realizuan punimet e brendshme, ndërtimi i pllakës së betonit dhe mureve me gurë.
Ndërsa faza e dytë u realizua me mbështetjen e AMMKM-së dhe përfshiu rindërtimin e elementeve prej druri dhe vendosjen e elementeve të tjera përcjellëse.
Në këtë projekt kontribuuan edhe biznese, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë, të cilët ofruan mbështetje materiale dhe punë vullnetare.
Nga OVL-UÇK dega në Ferizaj kanë theksuar se Pika 6 në Jezerc përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së luftës çlirimtare dhe kujtesës kombëtare.
“Bunkeri i Pikës 6 në Jezerc është simbol i kujtesës historike, i qëndresës dhe i sakrificës për liri. Rikthimi i tij në vendin e vet është dëshmi konkrete e përgjegjësisë sonë për të ruajtur dhe mbrojtur gjurmët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Organizata ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, duke veçuar edhe kryetarin e degës në Ferizaj, Afrim Mehmeti, për angazhimin në realizimin e projektit. /Telegrafi/