Gjatë vizitës në termocentral, ata kanë përcjellë nga afër ecurinë e projektit, i cili financohet nga Bashkimi Evropian me afro 84 milionë euro dhe përfshin njësitë B1 dhe B2.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, punimet në njësinë B1 kanë nisur në prill të vitit 2026 dhe planifikohet të përfundojnë në nëntor, ndërsa ndërhyrjet në njësinë B2 pritet të nisin në prill të vitit 2027.
Ministria ka kërkuar nga kontraktori dhe BE-ja, si autoritet kontraktues, që të bëjnë përpjekjet maksimale për respektimin e afateve. Rikthimi me kohë i njësisë B1 në funksion është vlerësuar i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji gjatë dimrit.
Projekti synon uljen e ndotjes nga termocentrali, duke reduktuar përqendrimin e pluhurit në gazrat dalëse në 20 mg/Nm³ dhe të oksideve të azotit në 200 mg/Nm³.
Gjatë takimeve të kësaj jave, Rizvanolli dhe Schuebel kanë diskutuar edhe reformat në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së, përfshirë Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili është në konsultim publik deri më 5 nëntor.
Miratimi i këtij ligji lidhet me përmbushjen e një kushti të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 6,26 milionë euro.
Po ashtu, të dy kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë prej 75 milionë eurosh, përfundimi i së cilës u shënua më 16 tetor. Nga kjo pako kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë.
Në përfundim, ministrja dhe ambasadori kanë ritheksuar angazhimin për bashkëpunim në realizimin e investimeve dhe reformave që synojnë rritjen e sigurisë energjetike dhe modernizimin e sektorit.
Burimi: RTKLive
