
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është deklaruar lidhur me masat emergjente të përcaktuara për energjinë elektrike gjatë stinës së dimrit në mbledhjen e Qeverisë të hënën.
Rizvanolli ndër të tjera në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka deklaruar se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ndërmarrjet publike të Kosovës s’kanë pasur tregtim të energjisë elektrike me Serbinë. Një gjë të tillë, sipas saj, s’e kanë bërë as KEDS e KESCO, shkruan Insajderi.
“Kjo nuk do të thotë se ne deri tash kemi pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë. Siç e kam thënë edhe shumë herë mëherët, ndërmarrjet tona publike nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe përgjatë qeverisjes sonë. Sipas informatave që i kemi nga KEDS dhe KESCO, as ata s’kanë pasur transaksione me kompani serbe. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka qenë e ndaluar por nga sot është e ndaluar”, ka deklaruar ajo.
“Në anën tjetër, sot i morëm edhe dy vendime të tjera, në lidhje me sektorin e energjisë. I dyti është vendosja e obligimit ndaj KEK-ut që të sigurojë një pjesë të kapaciteteve ndërkufitare nga 1 dhjetori. Kjo, në mënyrë që të parandalohet rritja e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare. Shpallëm edhe masat emergjente në sektorin e energjisë, ku ndër të tjera u vendos që Ibër-Lepencit t’i vendosim obligimin që të prodhojë energji në kohën kur kërkesa është më e lartë dhe këtë energji ta shesë për qytetarët e Kosovës dhe ndërmarrjet mikro dhe të mesme që furnizohen nga FSHU-ja”, deklaroi më tej ministrja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar tri masa në sektorin e energjisë, të cilat janë miratuar në mbledhjen e Qeverisë të hënën.
Njëra nga masat parasheh ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të interkoneksionit nga Serbia. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi