
Katër studentë të inxhinierisë nga Zelanda e Re kanë ndërtuar një robot që arrin ta zgjidhë kubin Rubik 4×4 për vetëm 9.8 sekonda, duke vendosur një rekord të ri botëror.
Roboti u krijua nga studentët e vitit të fundit në Universitetin e Canterburyt, Caleb Everitt, Hayden Watson, Maz Cameron dhe Johann Torres, të cilët punuan për rreth një vit në zhvillimin e kësaj pajisjeje.
Përpjekja zyrtare për rekord u realizua më 16 tetor në qytetin Christchurch, ku roboti arriti ta zgjidhte kubin për 9.806 sekonda. Rekordi tashmë është konfirmuar edhe nga Guinness World Records.
Pajisja përdor katër kamera për të analizuar ngjyrat dhe pozicionin e pjesëve të kubit. Më pas, informacioni përpunohet nga një algoritëm që llogarit lëvizjet e nevojshme për zgjidhjen e tij.
Një nga veçoritë që e bën robotin më të shpejtë është aftësia për të manipuluar kubin në të tri boshtet, pa pasur nevojë ta ripozicionojë vazhdimisht. Për lëvizjet e shpejta dhe precize, studentët kanë përdorur motorë me shpejtësi të lartë, të ngjashëm me ata që përdoren në dronë.
Ideja për ndërtimin e robotit lindi pasi studentët panë një video të pajisjes që mbante rekordin e mëparshëm, e cila e zgjidhte kubin 4×4 për rreth 45 sekonda. Ata vendosën të krijonin një makinë edhe më të shpejtë dhe arritën ta ulnin kohën në më pak se 10 sekonda.
Sipas ekipit, ky projekt është rezultat i bashkimit të njohurive në mekanikë, elektronikë, kontroll të motorëve, përpunim të imazheve dhe programim. Roboti do të mbetet në Universitetin e Canterburyt, me shpresën se do të frymëzojë studentët e ardhshëm të inxhinierisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali