
Rreth 1,000 persona janë arrestuar në Francë, pasi qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë të shtunën për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës dhe kushteve të dobëta në shkolla. Demonstratat, të cilat gjatë ditës ishin kryesisht paqësore, u shoqëruan me përleshje në disa qytete të vendit.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në disa zona, përfshirë Parisin. Në Marsejë, protestuesit u vunë flakën barrikadave, ndërsa në Bordo u dëmtua një dyqan.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, rreth 410 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës, ndërsa sindikatat vlerësuan se numri i pjesëmarrësve arriti në rreth 800 mijë, raporton BBC.
Për garantimin e sigurisë u angazhuan rreth 70 mijë policë, ndërsa në disa qytete u vendosën kufizime për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Autoritetet kanë arritur deri më tani të shmangin trazirat dhe plaçkitjet në përmasat e fundjavës së kaluar, kur Franca u përball me skena të rënda të çrregullimit publik.
Në Paris, përleshjet mes protestuesve dhe policisë së trazirave shpërthyen në fund të një marshimi që nisi në zonën Porte d’Italie dhe përfundoi në drejtim të Porte de Vincennes.
Gjatë ndërhyrjes, disa protestues ngritën barrikada të improvizuara dhe hodhën objekte drejt policisë. Ndërkohë, policia përdori shkopinj gome për të shpërndarë grupe të rinjsh të maskuar, të cilët po thyenin xhamat e një autosalloni.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se në pjesën e pasme të marshimit ishin mbledhur disa mijëra aktivistë radikalë, përfshirë rreth 500 persona të identifikuar si pjesëmarrës në trazira.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron kishte paralajmëruar në fillim të javës se do të lejoheshin vetëm demonstratat e organizuara nga sindikatat e njohura. Ditët e fundit, qindra persona janë dënuar me burgim për vandalizëm, zjarrvënie dhe plaçkitje, pas shqyrtimit të përshpejtuar të rasteve në gjykata.
Burimi: Sinjali