
Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur për më shumë se 2 për qind, pas një sulmi me dronë ndaj fushës së naftës Shaybah në Arabinë Saudite, duke shtuar shqetësimet për ndërprerje të furnizimit me energji.
Nafta Brent, si standard ndërkombëtar, tregtohej me 111,40 dollarë për fuçi, me një rritje prej 2,4 për qind. Ndërkaq, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit për 2,22 për qind, duke arritur në 99,30 dollarë për fuçi.
Sulmi ndaj fushës së naftës të kompanisë saudite “Aramco”, ku humbën jetën dy persona, ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme.
Tensionet rajonale janë shtuar edhe pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të urdhëruar largimin e disa pjesëtarëve të personelit dhe familjarëve të tyre nga misionet diplomatike amerikane në Arabinë Saudite.
Në të njëjtën kohë, sulmet masive me dronë nga Ukraina ndaj infrastrukturës ruse të naftës gjatë kësaj jave kanë shtuar pasigurinë për furnizimin global me energji.
Këto zhvillime kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës, pas humbjeve të regjistruara më herët në tregjet ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali