Rriten infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes në Zvicër, 48% më shumë vizita te mjeku brenda një jave

Rriten infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes në Zvicër, 48% më shumë vizita te mjeku brenda një jave

Written by

in

Infeksionet akute të rrugëve të frymëmarrjes po shtohen në Zvicër, ndërsa vizitat e para te mjeku për shkak të këtyre infeksioneve janë rritur për 48% brenda vetëm një jave.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat zvicerane, gjatë periudhës 2–8 nëntor janë regjistruar 158 konsultime mjekësore për çdo 100 mijë banorë, krahasuar me 107 në javën paraprake.

Gazeta zvicerane Blick raporton se rritja lidhet me përhapjen e viruseve që shkaktojnë infeksione respiratore, përfshirë koronavirusin.

Megjithatë, të dhënat për vizitat mjekësore nuk përcaktojnë se cili virus është përgjegjës për secilin rast.

Shqetësim paraqet edhe shtimi i rasteve me COVID-19. Sipas statistikave të Zyrës Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës (BAG), gjatë javës 2–8 nëntor janë raportuar 380 raste, ndërsa në fund të shtatorit ishin regjistruar 124 raste në javë.

Kjo nënkupton se raportimet për koronavirusin janë më shumë se trefishuar brenda kësaj periudhe. Varianti XFG është ndër variantet që qarkullojnë më së shumti aktualisht.

Ndërkohë, aktiviteti i viruseve të gripit dhe i virusit RSV mbetet në nivele relativisht të ulëta, megjithëse rastet e gripit kanë filluar të shtohen gradualisht. Zakonisht, vala e parë e gripit në Zvicër shfaqet gjatë muajve dhjetor ose janar.

Sipas autoriteteve shëndetësore, ende nuk ka shenja se vala aktuale e infeksioneve ka arritur kulmin.

Mjekët dhe specialistët shëndetësorë këshillojnë pushim të mjaftueshëm dhe gjumë për personat që preken nga infeksionet virale.

Për lehtësimin e simptomave mund të ndihmojnë edhe disa masa shtëpiake, si inhalimi me avull të kamomilit në rastet e hundëve të zëna dhe përdorimi i çajit të trumzës për lehtësimin e kollës.

Ndërkaq, marrja e sasive të vitaminës C përtej nevojave ditore nuk ka treguar se parandalon në mënyrë të zakonshme ftohjen te të rriturit, transmeton Telegrafi.

Edhe pijet e ngrohta me alkool, që shpesh përdoren si kurë tradicionale kundër ftohjes, nuk rekomandohen, pasi alkooli mund të përkeqësojë dehidratimin dhe proceset inflamatore.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të respektojnë masat e higjienës dhe të qëndrojnë në shtëpi në rast të shfaqjes së simptomave, për të kufizuar përhapjen e infeksioneve./Telegrafi/