Sipas raportit të Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi gjatë tri javëve të para të fushatës janë regjistruar 49 incidente.
Dhuna, kërcënimet dhe presioni ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe studentëve mbizotërojnë artikujt e disa mediave serbe ditët e fundit, të cilat ngrenë shqetësim për klimën politike në Serbi, në prag të zgjedhjeve. Në një artikull të revistës serbe “Radar”, autorja Dragana Nikoletiq përshkruan një realitet të shënuar nga përplasjet politike dhe incidentet e dhunshme, të cilat, sipas analizës së saj, rrezikojnë ta kthejnë frikësimin në pjesë të zakonshme të jetës publike.
Në qendër të kësaj përplasjeje është Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiqit, e cila prej vitesh ushtron ndikim dominues në skenën politike të vendit. Përballë saj qëndrojnë opozita dhe lëvizjet qytetare, që kërkojnë më shumë përgjegjësi institucionale, liri politike dhe kushte të barabarta në garën zgjedhore.
Sipas raportit të Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi gjatë tri javëve të para të fushatës janë regjistruar 49 incidente. Ndërkohë, protestat studentore, të intensifikuara pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, janë shndërruar në një nga sfidat më të rëndësishme për pushtetin.
Kërkesat për luftimin e korrupsionit dhe përgjegjësi institucionale kanë zgjeruar debatin për mënyrën se si qeveriset vendi dhe për drejtimin që duhet të marrë ai thotë raporti.
Për Radar dhe disa media të tjera në shtetin serb këto nuk janë vetëm incidente të izoluara, por shenja të një klime politike ku dhuna ndaj kundërshtarëve po rrezikon të normalizohet, ndërsa përgjegjësia e autorëve mbetet e paqartë.
Sipas gazetares Nikoletiq sfida mbetet nëse e ardhmja do të ndërtohet mbi dialogun, përgjegjësinë dhe sundimin e ligjit, apo nëse ndasitë dhe frikësimi do të vazhdojnë ta thellojnë krizën politike.
Burimi: RTKLive
