Rrushi po kalbet në vreshtat e Rahovecit, vreshtarët ankohen për mungesë tregu – drejtori i Bujqësisë pranon se çmimi është i ulët

Rrushi po kalbet në vreshtat e Rahovecit, vreshtarët ankohen për mungesë tregu - drejtori i Bujqësisë pranon se çmimi është i ulët

Written by

in

Rrushi që do të duhej të vilej, shitej dhe t’u sillte të ardhura vreshtarëve në Rahovec, po mbetet në hardhi dhe po kalbet, pasi prodhuesit thonë se nuk po arrijnë të gjejnë treg për ta shitur.

Vreshtarët thonë se këtë vit po përballen me njërën prej periudhave më të vështira. Përveç dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe ndryshimet e tjera klimatike gjatë verës, ata tashmë po përballen edhe me mungesë të blerësve.

Sipas tyre, çmimi që u ofrohet për një kilogram rrush arrin deri në 45 centë, ndërsa një arkë rrushi në treg shitet për vetëm dy deri në tre euro.

Ata shprehin shqetësimin edhe për atë që e konsiderojnë krijim të një monopoli në sektorin e rrushit, duke pretenduar se mundësitë për shitjen e prodhimit po kufizohen.

Përballë kësaj situate, disa vreshtarë janë detyruar ta nxjerrin rrushin për shitje edhe në rrugë, në përpjekje për të shpëtuar një pjesë të mundit dhe investimit të tyre.

Ndërkohë, ata thonë se deri më tani nuk kanë marrë vizita apo mbështetje konkrete nga institucionet komunale dhe Ministria e Bujqësisë.

Samedin Sokoli, vreshtar në Rahovec, thotë për Telegrafin se çmimi me të cilin po shitet rrushi është shumë i ulët, ndërsa një pjesë e prodhimit të tij ka mbetur pa u vjelë.

“Vërtet, për ne kjo që po ndodh këtu, po të tregoj drejt, me tri euro që po shesim, është marre. As nuk kemi ndonjë mbështetje, as nuk ka ardhur dikush të shohë se çfarë po ndodh. As vetë nuk di të të tregoj, sa vreshtat i kam, dy vreshta e gjysmë i kam ende plot, pa i vjelë, sepse e gjithë ajo që ka mbetur është prishur”, thotë ai.

“Marre është, për shembull, ta nxjerrësh këtu. Mua më vjen marre ta nxjerr këtu (rrushin). Çfarë mund të nxjerr, çfarë jo, çfarë të bëj?”, ka potencuar Sokoli.

I pyetur se sa po i ndihmojnë Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Rahovecit, Sokoli është shprehur se nuk ka pasur vizita nga përfaqësuesit e institucioneve në vreshtat e tyre.

Samedin Sokoli, vreshtar në Rahovec

“Asgjë, as komuna, as askush nuk ka ardhur të shohë nëpër vreshta se çfarë po ndodh. Çfarë t’i bëj këtij rrushi tani? Ta fus në arka… A është ky rrush i shëndoshë?”, ka thënë ai.

“Çfarë të vijë, të marrë çfarë? Çfarë mund të marrë aty? Nuk ia vlen të marrësh dy arka dhe të vish nga shtëpia deri këtu”, ka shtuar vreshtari.

Në anën tjetër, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka thënë se komuna këtë vit i ka përkrahur vreshtarët me preparate për spërkatjen e vreshtave.

“Përkrahja e komunës për vreshtarët e Rahovecit këtë vit ka qenë me preparate për spërkatjen e vreshtave, kryesisht me preparatin Cikadja, për luftimin e një sëmundjeje me të cilën po përballemi tash e disa vite dhe që është shfaqur në vreshtat e komunës sonë. Këtë vit kemi filluar dhe ua kemi dhënë preparatin për spërkatjen e vreshtave”, ka thënë Thaqi.

I pyetur për vështirësitë që po hasin vreshtarët në shitjen e rrushit dhe pretendimet për krijimin e një monopoli nga kompanitë më të mëdha që operojnë në këtë sektor, drejtori ka thënë se komuna ka caktuar një hapësirë ku prodhuesit mund ta shesin rrushin pa pagesë.

“Nuk kisha thënë ashtu, sepse tregu që është caktuar nga komuna për shitjen e rrushit dhe të perimeve të tjera është pa pagesë”, thotë Thaqi.

“Mirëpo, vreshtarët janë mësuar ndryshe ndër vite. Edhe këtu, te kjo pikë, do t’u bëja thirrje vreshtarëve, tani dhe në çdo kohë, që ta shfrytëzojnë vendin e caktuar ku mbahet ‘Hardh Festi’. Aty është hapësira e përcaktuar nga komuna për shitjen e rrushit dhe është pa pagesë”, ka deklaruar ai.

Thaqi ka pranuar se një pjesë e rrushit ka mbetur në vreshta, por ka thënë se disa prodhues e kanë lënë qëllimisht pa e vjelë një lloj të rrushit, i njohur si rrush moldav, me shpresën se do të gjejnë treg më të madh.

“Është e vërtetë që ka edhe rrush që ka mbetur nëpër vreshta. Ka edhe vreshtarë që e kanë lënë pa e vjelë një lloj rrushi që quhet moldav. Ai qëndron deri në dhjetor dhe e kanë lënë me qëllim, me shpresën se do të gjejnë një treg më të madh. Mirëpo, a është çmimi i rrushit i kënaqshëm? Nuk është i kënaqshëm”, ka thënë Thaqi.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi

Sipas tij, çmimi i ulët është një prej arsyeve që prodhuesit nuk po nxitojnë ta vjelin dhe ta dërgojnë rrushin në treg.

“Dhe kjo është një ndër arsyet. Ndoshta nuk ka njerëz që të shkojnë ta marrin rrushin e tyre dhe ta dërgojnë në treg, sepse, fatkeqësisht, tregu i rrushit dhe çmimi i tij janë të ulëta”, është shprehur ai.

Thaqi ka thënë se nuk ka informacione të sakta se me çfarë çmimi po e blejnë rrushin bodrumet që e përdorin atë për prodhimin e verës dhe rakisë, por sipas informatave që kanë, çmimi është i ulët.

“Tashmë nuk e di sa e kanë caktuar bodrumet që e marrin për verë, raki apo produkte të tjera, mirëpo, sa jemi në dijeni, çmimi është i ulët. Ndoshta mund të jetë 45 centë ose 40 centë, me aq sa e kanë marrë bodrumet”, ka deklaruar ai.

Në Rahovec këtë vit nuk po mungon rrushi, por tregu për shitjen e tij. Për vreshtarët, çdo ditë që kalon pa u shitur prodhimi nënkupton humbje të mëtejshme pas një sezoni të tërë pune dhe investimi.

Për të marrë një përgjigje institucionale lidhur me këtë situatë, Telegrafi ka kërkuar intervistë edhe nga Ministria e Bujqësisë, me qëllim që të kuptojë se çfarë masash janë ndërmarrë për t’i ndihmuar vreshtarët e Rahovecit, një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të të cilëve po mbetet pa u shitur.

Megjithatë, pavarësisht kërkesës së dërguar përmes postës elektronike dhe vizitës së sotme në zyrat e Ministrisë, përfaqësuesit e këtij institucioni nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Përgjigje nuk kemi marrë as nga Departamenti për Vreshtari dhe Verëtari në Rahovec, ku gjithashtu kemi kërkuar qëndrimin e zyrtarëve përgjegjës. /Telegrafi/