Rusia ka akuzuar Ukrainën për sulm ndaj një rafinerie nafte, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kievi do t’i rifillojë sulmet e tilla, të cilat ishin pezulluar me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Zelensky tha se Ukraina i kishte kufizuar sulmet për tri ditë, ndërsa Rusia kishte vazhduar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
“Ne e kemi përfunduar këtë”, tha ai në një intervistë për gazetën Financial Times.
Presidenti ukrainas akuzoi gjithashtu SHBA-në se kishte kërcënuar ta ndërpriste ndarjen e informacioneve të inteligjencës për sulmet ruse, me qëllim që ta detyronte Kievin t’i ndalte plotësisht sulmet ndaj Rusisë. Sipas tij, zyrtarët ukrainas ishin paralajmëruar nga homologët amerikanë se, nëse Ukraina nuk i ndalte sulmet, SHBA-ja do ta ndërpriste ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Zelensky pretendoi se presioni amerikan ishte shtuar pas arritjes së një marrëveshjeje për importimin e naftës dizel ruse. Ai akuzoi gjithashtu administratën amerikane për kufizime të qëllimshme në shërbimet satelitore Starlink, të cilat përdoren nga ushtria ukrainase.
Ndërkohë, Kremlini deklaroi se Ukraina kishte “tentuar një sulm në shkallë të gjerë” ndaj një rafinerie nafte në rajonin e Rjazanit, në jug të Moskës, në orët e para të së enjtes.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat ruse kishin interceptuar katër raketa dhe dhjetëra dronë. Ministria pretendoi se rënia e mbetjeve kishte shkaktuar zjarr në rafineri.
Nga ana tjetër, Zelensky tha se dhjetëra qytete ukrainase ishin vënë nën sulme ruse gjatë 24 orëve të fundit.
Ai kishte deklaruar më herët se Ukraina do t’i përmbahej armëpushimit të ashtuquajtur energjetik, të shpallur të dielën nga presidenti amerikan, Donald Trump, nëse edhe Moska do ta respektonte atë.
Megjithatë, presidenti ukrainas akuzoi Rusinë se e kishte shpërfillur propozimin vetëm disa orë pas shpalljes së tij, duke lënë qindra mijëra ukrainas pa energji elektrike. Kremlini nuk kishte deklaruar se e pranonte marrëveshjen.
Në një intervistë të mërkurën mbrëma me gazetarin Piers Morgan, Zelensky u pajtua me vlerësimin se ndihej i tradhtuar nga SHBA-ja, pas shenjave se Uashingtoni po tërhiqte disa elemente kyçe të mbështetjes për Ukrainën.
Ushtria ukrainase mbështetet në paralajmërimet e hershme amerikane për sulmet ajrore ruse, të cilat i mundësojnë organizimin e mbrojtjes kundërajrore dhe ndihmojnë në pengimin e goditjeve. Ndërkaq, lidhjet e internetit përmes Starlink përdoren gjerësisht nga ushtria ukrainase për operacionet ushtarake, drejtimin e dronëve dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, raporton BBC.
Të martën, pas kufizimeve të papritura në shpejtësinë me të cilën dronët mund të lëviznin duke ruajtur lidhjen me Starlink, u ngritën dyshime se bëhej fjalë për një problem teknik. Megjithatë, pronari i kompanisë, Elon Musk, dukej se e hodhi poshtë këtë mundësi dhe la të kuptohej se kufizimet mund të ishin vendosur nga administrata Trump. Presidenti amerikan, nga ana e tij, mohoi se kishte ndërprerë ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
“Nuk ishte problem teknik, ishte vullnet”, tha Zelensky për Financial Times.
Burime nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës i thanë BBC-së të enjten në mëngjes se funksionimi i Starshield gjatë lëvizjes ishte rikthyer. Starshield është versioni i Starlink i orientuar drejt përdorimit ushtarak.
Sipas këtyre burimeve, zyrtarët po vazhdonin të sqaronin “arsyet dhe rrethanat që qëndronin pas kufizimeve të së mërkurës”.
Ndërkohë, Neo, një ushtar i njësive ukrainase të zbulimit me dronë, tha për emisionin Today të BBC Radio 4 se çdo kufizim i qëllimshëm i rrjetit Starlink do të përbënte “tradhti”.
Burimi: Dukagjini
