Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand, është dënuar në Londër me 10 vjet e gjysmë burgim, pasi javën e kaluar u shpall fajtor për një rast përdhunimi dhe tri sulme seksuale.
Vendimi u mor nga juria e Gjykatës së Southwarkut, pas tri ditësh diskutimesh.
Megjithatë, Brand u lirua nga akuzat për dy raste të tjera përdhunimi dhe një tentativë për sulm të pahijshëm.
Russell Brand
Pas shpalljes së dënimit, atij iu refuzua lirimi me kusht dhe u dërgua menjëherë në paraburgim.
Rasti i përdhunimit për të cilin u shpall fajtor lidhet me një ngjarje të vitit 2009, kur një grua e akuzoi se e kishte përdhunuar në shtëpinë e tij në Londër.
Gjatë dëshmisë, ajo tregoi se i kishte thënë disa herë “jo”, ndërsa një shoqe e saj dëshmoi se pas ngjarjes viktima kishte pasur dhimbje të forta.
Nga ana tjetër, Brand pretendoi se marrëdhënia kishte qenë me pëlqim dhe se gruaja nuk i kishte kërkuar të ndalonte.
Ai pranoi se kishte keqpërdorur famën për të pasur marrëdhënie seksuale me gra, por këmbënguli se pëlqimi ishte thelbësor.
Akuzat ndaj tij dolën për herë të parë publikisht në shtator të vitit 2023, pas një hetimi të publikuar nga “Sunday Times”.
Në këtë proces gjyqësor ai u përball me shtatë pika të aktakuzës, që përfshinin gjashtë gra dhe ngjarje të periudhës 1999–2009.
Për të gjitha akuzat ishte deklaruar i pafajshëm.
Ndërkohë, policia metropolitane e Londrës po heton edhe dy denoncime të tjera për përdhunim ndaj aktorit.
Njëri prej tyre lidhet me një grua që ishte 16 vjeçe në kohën kur kishte pasur një raport me Brandin, i cili atëherë ishte 30 vjeç.
Dosjet për të dyja rastet i janë përcjellë prokurorisë. /Telegrafi/