Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se nuk është kundër idesë së krijimit të një ushtrie të përbashkët evropiane, por ka paralajmëruar se një strukturë e tillë, krahas ushtrive kombëtare dhe NATO-s, mund ta ngadalësojë reagimin ndaj një sulmi të mundshëm rus.
Rutte i bëri këto komente gjatë sesionit të 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të mbajtur në Berlin nga 20 deri më 23 nëntor.
Duke shpjeguar kundërshtimet e tij, ai tha se krijimi i një strukture të re ushtarake evropiane, pa hequr ushtritë ekzistuese kombëtare, do të krijonte mbivendosje të përgjegjësive dhe do ta vështirësonte marrjen e vendimeve në rast krize.
“Do të këshilloja kundër një situate në të cilën të gjitha shtetet kanë ushtritë e tyre, të cilat bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s, ndërsa mbi to krijohet edhe një strukturë e madhe evropiane. Sepse, nëse Putini sulmon, fillimisht do të na duheshin dy ose tri javë për t’u marrë vesh se kush çfarë do të bëjë, dhe ai ndërkohë ndoshta do të arrinte deri në Roterdam, para se të merrnim një vendim”, deklaroi Rutte.
– YouTube www.youtube.com
Ai sqaroi se nuk ka kundërshtim parimor ndaj krijimit të një ushtrie evropiane, por nuk beson se kjo ide do të realizohet në një të ardhme të afërt.
“Nuk kam ndonjë problem parimor me një ushtri evropiane, por nuk shoh që kjo të ndodhë së shpejti. Nuk mendoj se ekziston ndonjë shtysë e madhe për këtë”, tha kreu i NATO-s.
Në fjalimin e tij para parlamentarëve në Berlin, Rutte paralajmëroi gjithashtu se makineria ushtarake ruse po funksionon me kapacitet të plotë dhe se ekonomia e luftës e Moskës vazhdon të rritet. Ai theksoi se Rusia po bashkëpunon ngushtë me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
Duke folur për shpenzimet e mbrojtjes, Rutte përmendi Gjermaninë, e cila planifikon të arrijë shpenzimet prej 3.5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm për mbrojtjen bazë deri në vitin 2029, në vend të vitit 2035, siç ishte paraparë më herët.
Ai përmendi edhe zotimin prej 70 miliardë eurosh për pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën gjatë viteve 2026 dhe 2027, të dakorduar në Ankara, por vlerësoi se Kievi ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe. /Telegrafi/