Gjatë muajve të dimrit, shumë njerëz preferojnë ta mbajnë ngrohjen ndezur edhe gjatë natës, duke i mbyllur njëkohësisht dritaret për të ruajtur nxehtësinë.
Megjithatë, një dhomë tepër e ngrohtë dhe me ajër të ndenjur mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit.
Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), temperatura prej 18 gradësh Celsius konsiderohet e sigurt dhe e përshtatshme për ambientet e brendshme gjatë muajve të ftohtë, në vendet me klimë të moderuar ose të ftohtë.
Foto ilustruese
Për personat e moshuar, fëmijët dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike, veçanërisht ato të zemrës dhe mushkërive, temperatura minimale duhet të jetë edhe më e lartë.
Pse temperatura ndikon në cilësinë e gjumit?
Studiuesit japonezë Kazue Okamoto-Mizuno dhe Koh Mizuno, në një studim të publikuar në revistën shkencore “Journal of Physiological Anthropology”, shpjegojnë se si temperaturat tepër të larta, ashtu edhe ato shumë të ulëta mund të shkaktojnë zgjime gjatë natës dhe të shkurtojnë fazat e gjumit të thellë dhe REM, gjatë së cilës shohim ëndrra.
Kjo ndodh sepse gjumi është i lidhur ngushtë me mënyrën se si trupi e rregullon temperaturën.
Për këtë arsye, krijimi i një ambienti të rehatshëm është i rëndësishëm jo vetëm për pushimin gjatë natës, por edhe për energjinë dhe përqendrimin gjatë ditës.
Mbulesat mund të jenë më të rëndësishme sesa ngrohja
Sipas studiuesve, trupi krijon një lloj mikroklime nën mbulesa, ku gjatë gjumit temperatura zakonisht qëndron rreth 32 deri në 34 gradë Celsius, ndërsa lagështia e ajrit mes 40 dhe 60 për qind.
Kjo do të thotë se nuk është e domosdoshme që dhoma të jetë shumë e ngrohtë për të fjetur rehat.
Rrobat e gjumit dhe mbulesat e përshtatshme ndihmojnë trupin të ruajë temperaturën e nevojshme, edhe kur ambienti është më i freskët.
Pse është e rëndësishme të ajroset dhoma para gjumit?
Një tjetër faktor që ndikon në cilësinë e pushimit është ajri që thithim gjatë natës.
Një studim i realizuar nga studiuesit e Universitetit Teknik të Danimarkës (DTU), i publikuar në revistën “Indoor Air” në vitin 2016, tregoi se ajrosja e dhomës mund të përmirësojë kushtet e gjumit.
Pjesëmarrësit që flinin në ambiente me përqendrim më të ulët të dioksidit të karbonit kishin rezultate më të mira në matjet objektive të gjumit. Gjithashtu, ditën tjetër ndiheshin më pak të përgjumur, përqendroheshin më lehtë dhe performonin më mirë në testet e arsyetimit logjik.
Megjithatë, rezultatet e studimeve nuk janë plotësisht të njëjta.
Një hulumtim tjetër nga Universiteti Teknik i Eindhovenit tregoi se disa pjesëmarrës e vlerësuan gjumin më mirë kur dritarja ishte e mbyllur, kryesisht për shkak të zhurmave më të pakta nga jashtë.
Pra, a duhet ta fikim ngrohjen gjatë natës?
Nuk është e domosdoshme që ngrohja të fiket plotësisht, por këshillohet të shmanget mbinxehja e dhomës.
Një zgjidhje e mirë është ajrosja e ambientit para gjumit, mbajtja e një temperature të rehatshme dhe përdorimi i një mbulese më të ngrohtë në vend të rritjes së vazhdueshme të ngrohjes.
Në këtë mënyrë, dhoma mbetet mjaftueshëm e freskët për një gjumë cilësor, ndërsa trupi ruan ngrohtësinë e nevojshme gjatë gjithë natës. /Telegrafi/