Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-reprezentuesi i Shqipërisë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur emocionet për fundin e kësaj aventure me një mesazh të shkurtër, por domethënës: “Faleminderit futboll! Do të më mungosh!”
Sadiku lë pas një karrierë të pasur, gjatë së cilës ka luajtur në disa kampionate të ndryshme, përfshirë ato të Zvicrës, Polonisë, Turqisë, Spanjës, Bolivisë dhe Indisë. Në Shqipëri, ai ishte pjesë e Gramozit dhe Elbasanit, përpara se të vazhdonte karrierën jashtë vendit.
Momenti më i veçantë i karrierës së tij me Kombëtaren shqiptare mbetet goli i shënuar kundër Rumanisë në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Ai realizim historik i siguroi Shqipërisë fitoren e parë në një Evropian dhe mbetet një prej momenteve më të paharrueshme për tifozët kuqezi.
Me fanellën e Shqipërisë, Sadiku regjistroi 38 paraqitje dhe shënoi 12 gola, duke lënë gjurmë në historinë e përfaqësueses.
Megjithatë, largimi nga fushat e lojës nuk nënkupton fundin e lidhjes së tij me futbollin. Sadiku do të vazhdojë angazhimin në këtë sport në një rol të ri, pasi është emëruar drejtor sportiv i klubit zviceran Bellinzona.
Kështu, pas shumë vitesh si sulmues, Sadiku nis një etapë të re në karrierë, këtë herë jashtë fushës së blertë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin e klubit nga pozita e drejtuesit sportiv.
Burimi: RTKLive
