Samsung përgatit laptopët e parë me Android, zbulohen dy modelet e reja me procesor Snapdragon

Samsung përgatit laptopët e parë me Android, zbulohen dy modelet e reja me procesor Snapdragon

Written by

in

Samsung përgatit laptopët e parë me Android, zbulohen dy modelet e reja me procesor Snapdragon

Samsung po përgatit një gjeneratë të re laptopësh që do të funksionojnë me sistemin operativ Android, duke hequr dorë nga Windows-i që përdoret aktualisht në serinë Galaxy Book.

Informacionet e para për këto pajisje janë zbuluar në versionin testues të softuerit One UI 9.5, ku janë identifikuar të dhëna për të paktën dy modele të reja me emrin e brendshëm “Origin”.

Sipas portalit Android Authority, në kodin e softuerit janë gjetur shenjat “origin14wifi” dhe “origin16wifi”, të cilat sugjerojnë se bëhet fjalë për laptopë me ekrane 14 dhe 16 inç.

Dy pajisjet lidhen me numrat e modeleve XE940XSA dhe XE960XSA dhe, sipas të dhënave të zbuluara, pritet të përdorin procesorin Qualcomm Snapdragon X Elite, versionin X1E-80-100 me 12 bërthama.

Ndryshe nga laptopët aktualë Galaxy Book, modelet e reja pritet të funksionojnë me Android 17 dhe ndërfaqen One UI 9.5, të përshtatur posaçërisht për përdorim në laptopë.

Softueri sugjeron se Samsung po zhvillon një ndërfaqe të veçantë, e cila do të përfshijë shiritin e detyrave, cilësimet e ekranit dhe mundësinë e punës me disa dritare njëkohësisht.

Ndër funksionet e mundshme përmenden Circle to Search, veçoritë e inteligjencës artificiale, ndriçimi automatik i tastierës dhe mbështetja për touchpad me reagime haptike.

Një tjetër element i rëndësishëm pritet të jetë integrimi me ekosistemin Galaxy, duke u mundësuar përdoruesve qasjen në aplikacionet e telefonit, menaxhimin e pajisjeve të lidhura dhe kryerjen e telefonatave përmes laptopit.

Sipas informacioneve të deritanishme, të dy modelet fillimisht mund të ofrojnë vetëm lidhje Wi-Fi, ndërsa ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për versionet me rrjet mobil. Gjithashtu, modeli 16-inç mund të pajiset me ekran me prekje.

Këto pajisje mund të jenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Google për ta zgjeruar Android-in në kompjuterë dhe për ta krijuar një alternativë ndaj Chromebook-ëve.

Megjithatë, Samsung ende nuk i ka prezantuar zyrtarisht laptopët “Origin”. Çmimet dhe data e lansimit mbeten të panjohura, por pritjet janë që pajisjet të mund të prezantohen në një periudhë të afërt me lansimin e One UI 9.5, që pritet në fillim të vitit 2027.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali