Seanca e 6 tetorit, Tahiri në mbrojtje të Haradinajt: Fokusohuni te e vërteta, jo te Dauti

Seanca e 6 tetorit, Tahiri në mbrojtje të Haradinajt: Fokusohuni te e vërteta, jo te Dauti

Written by

in

Seanca e 6 tetorit, Tahiri në mbrojtje të Haradinajt: Fokusohuni te e vërteta, jo te Dauti

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar në mbrojtje të Daut Haradinajt, pas deklaratave të tij për situatën e krijuar gjatë protestës së 5 dhe 6 tetorit, duke thënë se rreziku i përshkallëzimit ishte i njohur për institucionet e vendit nëse nuk do të miratohej Ligji për Dhomat e Specializuara.

Tahiri për KosovaPress e cilësoi Haradinajn si një nga figurat më të respektuara të luftës dhe tha se deklaratat e tij pasqyrojnë, sipas tij, tensionet dhe pasigurinë që karakterizuan atë ditë.

Në një deklarim publik ditë më parë, Haradinaj kishte bërë pretendime për praninë e personave me bomba gjatë protestës më 5 dhe 6 tetor.

“Daut Haradinaj, pa dyshim, është ndër figurat më të respektuara të luftës. Burri, njeriu, ushtari e gjenerali më i dëshmuar. Po ashtu është i dëshmuar edhe pas luftës, në mbështetje dhe ballafaqim të shoqërisë së Kosovës me të vërtetën. Dauti e ka thënë një të vërtetë të cilën e dinë të gjithë, me tri porosi. E para, secili prej nesh që ka qenë në Parlament dhe në shesh e ka ditur shumë mirë se situata në shesh ka qenë e tensionuar. Ai tension ka mundur të krijojë efekte të paparashikueshme, të cilat pastaj do të ishte vështirë të ndaleshin. E ka ditur Qeveria, e kemi ditur ne në Kuvend, e ka ditur edhe Policia dhe institucionet e tjera të sigurisë. E ka thënë një të vërtetë dhe s’po e thotë askush”, tha ai.

Sipas tij, situata gjatë protestës ishte e njohur për Qeverinë, deputetët dhe Policinë, ndërsa rreziku i përshkallëzimit duhej të merrej seriozisht nga institucionet përgjegjëse.

Tahiri gjithashtu pretendoi se kryeministri Albin Kurti kishte qenë nën presion për miratimin e ndryshimeve ligjore që po diskutoheshin në Kuvend. Sipas tij, ekzistonin shqetësime se protesta mund të bëhej më e zhurmshme dhe se protestuesit mund të përdornin mjete të ndryshme për të shtyrë përpara kërkesat e tyre.

Ai shtoi se deputetët që ndodheshin brenda Kuvendit ishin të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe rrezikun e mundshëm në rast se ligji nuk do të miratohej.

Daut Haradinaj duke folur për seancën e 6 tetorit deklaroi të mërkurën në Rubikon të Klan Kosovës, tha se “Votimi atë natë, zotëri Kurti e ka votuar nga frika, sepse është frikacak. Nuk ka pas asnjë shans një deputet me dalë prej Parlamentit atë natë pa e kry atë punë. Nuk ish dalë asnjë hiç. Pa gjakderdhje askush s’ish dalë. Dhe këtë po e them me përgjegjësi të madhe. Nuk kemi qenë duke bërë hajgare. E kanë ditë me detaje. Të gjithë. Deputetët, kryeministri, ministrat…”.