Seanca ndaj Jeton Sylajt mbahet me dyer të mbyllura, Gjykata në Pejë tregon arsyet

Seanca ndaj Jeton Sylajt mbahet me dyer të mbyllura, Gjykata në Pejë tregon arsyet

Written by

in

Seanca ndaj Jeton Sylajt mbahet me dyer të mbyllura, Gjykata në Pejë tregon arsyet

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që shqyrtimi fillestar në çështjen penale ndaj Jeton Sylajt, bashkëshortit të Arlinda Zekajt, të zhvillohet pa praninë e publikut.

Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026, ndërsa seanca është caktuar për 12 nëntor, duke filluar nga ora 11:00.

Sipas aktvendimit të Gjykatës, të siguruar nga lajmi.net, përjashtimi i publikut është vendosur me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, veçanërisht të një fëmije të mitur të përfshirë në këtë çështje.

Kërkesa për zhvillimin e seancës pa praninë e publikut është paraqitur nga Prokuroria Themelore në Pejë. Prokuroria ka argumentuar se gjatë procedurës do të trajtohen informacione të ndjeshme që kanë të bëjnë me jetën private dhe familjare të personave të përfshirë.

Ndër materialet që janë përmendur në kërkesë janë deklarimet e të pandehurit dhe palës së dëmtuar, raportet e bashkëbisedimeve me fëmijën e mitur, raporti psikologjik, si dhe video-incizimet që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjykata ka bërë të ditur se kërkesa e Prokurorisë është përkrahur edhe nga mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtësja e të pandehurit, të cilët kanë dhënë pëlqimin që seanca të mbahet pa praninë e publikut.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se vepra penale për të cilën është ngritur aktakuza, “Kanosja”, dyshohet se është kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare dhe ndaj një anëtari të familjes.

Sipas Gjykatës, ekspozimi publik i rrethanave dhe provave të kësaj çështjeje mund të cenojë privatësinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë, duke vënë theks të veçantë në mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës së mitur, shkruan lajmi.net.

Jeton Sylaj akuzohet për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza ndaj tij është ngritur më 23 tetor 2026 nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Vendimi për përjashtimin e publikut është marrë në bazë të nenit 289, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, dhe nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Burimi: Insajderi