Senatori i fuqishëm republikan paralajmëron humbjen në zgjedhje: Mbështetësit tanë nuk po dalin të votojnë

Senatori i fuqishëm republikan paralajmëron humbjen në zgjedhje: Mbështetësit tanë nuk po dalin të votojnë

Written by

in

Senatori republikan, Ted Cruz ka paralajmëruar se republikanët rrezikojnë të pësojnë humbje në të gjitha garat zgjedhore në Teksas, përfshirë edhe atë për Senat, duke shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e ulët të votuesve të partisë së tij.

Në një deklaratë, Cruz tha se Teksasi ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të ngushtë dhe se humbja e këtij shteti është një mundësi reale, pavarësisht se ai vetë nuk beson se një skenar i tillë do të ndodhë.

Ai theksoi se votuesit tradicionalë të Partisë Demokratike po dalin në numër të madh në zgjedhje, ndërsa mbështetësit e republikanëve nuk po tregojnë të njëjtin mobilizim.

“Ne mund ta humbim Teksasin. Po e përsëris, mund ta humbim Teksasin. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për garën për Senat. Mund t’i humbim të gjitha garat zgjedhore në nivel shtetëror”, deklaroi Cruz.

Senatori republikan paralajmëroi se, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në rrethanat aktuale, rezultatet për republikanët do të ishin shumë të këqija.

Cruz e cilësoi Teksasin si shtetin më të madh dhe një prej më të rëndësishmëve për republikanët, duke paralajmëruar se humbja e tij do të kishte pasoja të rënda për partinë.

“Ekziston rreziku real që të zgjohemi një ditë pas zgjedhjeve dhe të shohim se demokratët i kanë fituar të gjitha garat zgjedhore në nivel shtetëror”, u shpreh ai.

Senatori nuk ka dhënë detaje të tjera në deklaratën e tij për faktorët që mund të çojnë në një rezultat të tillë. /Telegrafi/