Senatorja amerikane mesazh për protestat në Shqipëri: Mbroni qytetarët nga dhuna policore dhe luftoni korrupsionin

Senatorja amerikane mesazh për protestat në Shqipëri: Mbroni qytetarët nga dhuna policore dhe luftoni korrupsionin

Written by

in

Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar për situatën e protestave në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të mbrojë qytetarët nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të tyre.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Slotkin shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojnë llogari përfaqësuesve të zgjedhur.

Senatorja bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit kishte marrë telefonata të shumta nga qytetarë të shqetësuar të Michiganit për situatën në Shqipëri, si dhe për zhvillimet në vende të tjera evropiane.

“Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur prej tij”, theksoi Slotkin në reagimin e saj.

Ajo nënvizoi se qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të garantojë mbrojtjen e protestuesve nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe të marrë në konsideratë shqetësimet e qytetarëve.

Në përfundim të mesazhit, senatorja amerikane u bëri thirrje të gjitha palëve të angazhohen për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.

“U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, deklaroi ajo.