Dejan Shoshkiq, profesori universitar dhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, i përmendur si kandidat i mundshëm për kryeministër nga Lista Studentore, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë.
Në një intervistë për mediumin kroat “Index”, Shoshkiq ka thënë se Lista Studentore, e cila synon të marrë pushtetin pas fitores në zgjedhjet parlamentare të së dielës, do të mbështetet në Kushtetutën e Serbisë dhe në interpretimin e saj të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Korniza juridike në Serbi është plotësisht e qartë, Kushtetuta thotë se Kosova dhe Metohia është krahinë autonome brenda Serbisë. Nga ana tjetër, edhe dokumentet kryesore të kornizës juridike ndërkombëtare, si Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thonë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Shoshkiq.
Kështu, edhe pse Lista Studentore paraqitet si një alternativë e re politike në Serbi, deklaratat e personit të përmendur për udhëheqjen e ardhshme të Qeverisë tregojnë vazhdimësi në një prej çështjeve më të ndjeshme të rajonit: mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pretendimin e Serbisë mbi territorin e saj.
Ky qëndrim përputhet me qasjen shtetërore serbe ndaj Kosovës, e cila mbështetet në pretendimin se Kosova është pjesë e Serbisë.
Premton afrimin me BE-në, por jo ndryshim për Kosovën
Shoshkiq ka thënë se Lista Studentore synon respektimin e kornizës juridike vendore dhe ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare.
Ai ka vlerësuar se Serbia mund t’i përmbushë më lehtë dhe më shpejt kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk ka paralajmëruar ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës.
Sipas tij, vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BE do të varet nga përmbushja e kushteve të kërkuara, gatishmëria e Bashkimit Evropian për ta pranuar Serbinë dhe vendimi i qytetarëve serbë në referendum.
Megjithatë, deklaratat e tij ngrenë pikëpyetje se deri ku mund të shkojë ndryshimi politik që premton Lista Studentore, nëse në çështjen e Kosovës vazhdon të mbajë të njëjtin pozicion si pushteti që synon ta zëvendësojë.
“Nuk do të pajtohemi” për luftërat e viteve ’90
Në intervistë, Shoshkiq ka folur edhe për marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë, duke thënë se të dyja vendet nuk do të pajtohen lehtë për interpretimin e ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.
I pyetur për Vukovarin dhe operacionin “Stuhia”, ai ka thënë se dallimet do të vazhdojnë për shkak të narrativave të ndryshme mbi atë që ndodhi gjatë luftërave.
“Nuk do të ketë as në të ardhmen shumë pajtim për perceptimin e përgjithshëm të asaj që ndodhi gjatë viteve ’90, sepse ekzistojnë narrativa të ndryshme, përkatësisht vizione të ndryshme për ngjarjet”, ka deklaruar ai.
Shoshkiq ka shtuar se Lista Studentore synon marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim dhe stabilitet rajonal, duke thënë se Serbia duhet t’i zhvillojë raportet me vendet fqinje.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte përmendur Shoshkiqin në fillim të tetorit si kandidat të mundshëm për kryeministër në rast të fitores së Listës Studentore.
Megjithatë, në intervistën për “Index”, Shoshkiq nuk i ka konfirmuar ambiciet për këtë post, duke thënë se është njëri nga 250 kandidatët për deputetë në listë.
Ai ka bërë të ditur se përbërja e ardhshme e Qeverisë së Serbisë do të diskutohet në fazën e ardhshme të procesit brenda organizimit studentor, mundësisht edhe me pjesëmarrjen e deputetëve të zgjedhur.
Burimi: Dukagjini
