
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Erie të Pensilvanisë, në SHBA, ku një 45-vjeçar vrau tetë persona, përfshirë vajzën e tij shtatzënë dhe dy nipërit e mbesat, të moshës një dhe pesë vjeç. Pas krimit, ai i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi të premten në shtëpinë e tij, ndërsa viktimat dhe familjarët e tyre kanë mbetur të tronditur nga tragjedia, duke kërkuar përgjigje për arsyet që çuan në këtë akt të rëndë, transmeton Klankosova.tv.
Autoritetet në Pensilvani kanë bërë publikë emrat e autorit dhe gjashtë prej tetë personave që ai vrau të premten.
Sipas mjekut ligjor të qarkut Erie, Lyell Cook, autori i sulmit ishte Matthew Stone Sr., 45 vjeç, i cili pas vrasjeve i dha fund jetës brenda shtëpisë. Këtë e konfirmoi edhe shefi i policisë së Erie, Rick Lorah.
Viktimat e rritura janë identifikuar si Michelle Stone, 44 vjeçe, Angelina Stone, 24 vjeçe, e cila pritej të lindte, Jonathan Stone, 19 vjeç, Matthew Stone, 21 vjeç, si dhe Lora Roberts, 37 vjeçe, dhe Twila Tanner, 51 vjeçe, të cilat jetonin në adresa të tjera.
Në mesin e viktimave ishin edhe dy fëmijë, një djalë pesëvjeçar dhe një vajzë njëvjeçare. Sipas mjekut ligjor, legjislacioni i shtetit nuk e lejon publikimin e emrave të tyre.
Gjatë një ceremonie përkujtimore, Julius Windham tha se vajza e tij, Amarianna, ishte vogëlushja që humbi jetën në këtë tragjedi. Ai bëri të ditur se nëna e saj ishte Angelina Stone, e cila ishte gjithashtu nëna e djalit pesëvjeçar që u vra. Autori ishte gjyshi i fëmijëve dhe kryefamiljari, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Viktima shkonte në shtëpi për ta ndihmuar mbesën shtatzënë
Nicole Eller, një mike e familjes, tha se Lora Roberts e vizitonte shpesh shtëpinë për të ndihmuar mbesën e saj dhe fqinjen, Angelina Stone, gjatë shtatzënisë.
Sipas miqve, Roberts ishte nënë e pesë fëmijëve dhe e fejuar. Ajo ishte vullnetare dhe ish-anëtare e bordit të një organizate komunitare që ndihmonte personat e pastrehë.
Më 15 korrik, ajo kishte publikuar një mesazh në Facebook, ku shprehte shqetësimin për të shtënat e fundit në qytetin Erie.
“Erie, duhet të bëjmë më mirë! Jeta është e çmuar dhe është zemërthyese të shohësh kaq shumë dhimbje dhe dhunë. Interesohuni për njerëzit që doni dhe zgjidhni gjithmonë mirësinë”, kishte shkruar ajo.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e motivit
Shefi i policisë, Rick Lorah, bëri të ditur se hetuesit kanë siguruar prova filmike dhe audio, në të cilat dëgjohen të shtëna armësh nga brenda shtëpisë.
Sipas tij, pak çaste më vonë, dy gra të tronditura mbërritën në shtëpi dhe nisën të godisnin fort derën. Autori doli jashtë dhe qëlloi ndaj tyre, ndërsa ato po vraponin në drejtim të tij. Më pas, ai u kthye brenda shtëpisë.
Lora Roberts dhe Twila Tanner, e cila ishte e vetmja viktimë që nuk kishte lidhje familjare me autorin, u vranë jashtë ndërtesës.
Deri më tani, policia nuk ka dhënë një shpjegim për motivin e mundshëm të sulmit. Megjithatë, shefi i policisë ka lënë të kuptohet se problemet e shëndetit mendor mund të kenë luajtur rol në ngjarje.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje familjarët dhe të analizojnë telefonat celularë të dy grave që u vranë jashtë shtëpisë, në përpjekje për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë tragjedi./Klankosova.tv.