SHBA-ja miraton shitjen e pajisjeve për mirëmbajtjen e F-16-ve të Ukrainës në vlerë prej 621.9 milionë dollarësh

SHBA-ja miraton shitjen e pajisjeve për mirëmbajtjen e F-16-ve të Ukrainës në vlerë prej 621.9 milionë dollarësh

Written by

in

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar të mërkurën një shitje të mundshme në vlerë prej 621.9 milionë dollarësh për pajisje dhe shërbime që lidhen me mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 të Ukrainës.

Sipas njoftimit zyrtar, blerja do të financohet përmes programit JUMPSTART, me mjete të siguruara nga Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia, transmeton Telegrafi.

“Ukraina do t’i përdorë fondet e programit JUMPSTART – Shërbime, Trajnime dhe Pajisje me Afat të Shpejtë për Programin Shumëkombësh të Ukrainës – për këtë blerje. Në këtë transferim nuk do të përfshihen fonde nga SHBA-ja”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Paketa përfshin pajisje me aktivizim përmes fishekëve dhe pajisje me aktivizim përmes ngarkesave shtytëse, pajisje laboratorike, si dhe mbështetje për transportin.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur se kjo paketë do t’i shtohet një marrëveshjeje të mëparshme, vlera e së cilës ishte nën pragun që kërkon njoftimin e Kongresit amerikan.

Miratimi synon të mbështesë mirëmbajtjen dhe funksionimin e flotës së avionëve F-16 të Ukrainës, ndërsa financimi do të sigurohet nga partnerët evropianë, pa përdorimin e fondeve amerikane. /Telegrafi/