
Të gjitha fluturimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pezulluar deri në një njoftim të mëtejshëm, me arsyetimin e sigurisë dhe të rrethanave të jashtëzakonshme, ka bërë të ditur Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Në njoftimin e saj, FAA ka theksuar se ndalimi është vendosur “për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe për arsye sigurie”, ndërsa shkaku i saktë i këtij vendimi ende nuk është bërë publik.
Megjithatë, një zëdhënës i FAA-së ka konfirmuar se bëhet fjalë për një problem në sistemin e komunikimit, i cili po prek qendrat e kontrollit të trafikut ajror që menaxhojnë fluturimet në të gjithë vendin.
Ndalimi i njëkohshëm i të gjitha fluturimeve në nivel kombëtar është një masë jashtëzakonisht e rrallë në SHBA.
Herën e fundit që një masë e tillë, e njohur si “Ground Stop”, ishte vendosur në të gjithë vendin, ishte në janar të vitit 2023, kur një defekt teknik kishte prekur sistemin e Njoftimeve për Aviatorët (NOTAM), duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të nisjeve të fluturimeve.
Para këtij rasti, ndalimi i fundit kombëtar i trafikut ajror në SHBA ishte vendosur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Këto raste tregojnë se pezullimi i të gjitha fluturimeve në nivel kombëtar është një masë e jashtëzakonshme, që ndërmerret në rrethana të veçanta që lidhen me sigurinë dhe funksionimin e sistemit të aviacionit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali