SHBA-ja tërheq aeroplanët ushtarakë edhe nga një bazë e dytë në Britani, shkak kërcënimet nga Irani

SHBA-ja tërheq aeroplanët ushtarakë edhe nga një bazë e dytë në Britani, shkak kërcënimet nga Irani

Written by

in

Avionët ushtarakë amerikanë janë larguar të hënën nga një bazë e dytë ajrore në Britani, për shkak të një kërcënimi të dyshuar nga Irani, raporton gazeta The Wall Street Journal (WSJ).

Sipas gazetës, e cila citon persona të njohur me çështjen, evakuimi ka ndodhur në bazën ajrore RAF Mildenhall, në Suffolk të Anglisë, transmeton Telegrafi.

Dy cisterna amerikane për furnizimin me karburant në ajër, të cilat operonin nga kjo bazë, u devijuan drejt Gjermanisë më herët gjatë së hënës. Më vonë gjatë ditës, edhe disa avionë të tjerë të këtij lloji u zhvendosën drejt Gjermanisë dhe lokacioneve të tjera.

Zyrtarët amerikanë ende po diskutojnë natyrën e saktë të kërcënimit ndaj bazës RAF Mildenhall, sipas raportimit të WSJ-së.

Gazeta, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se SHBA-ja kishte ngritur nivelin e gatishmërisë së sigurisë në bazat RAF Mildenhall dhe RAF Lakenheath në nivelin FPCON Charlie.

Ky është niveli i dytë më i lartë i alarmit në sistemin e sigurisë së Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe aktivizohet kur informacionet e inteligjencës tregojnë se një sulm terrorist mund të jetë i mundshëm.

Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes tha se nuk komenton zakonisht aktivitetet e vendeve të tjera, duke shtuar se avionët dhe pajisjet ushtarake zhvendosen rregullisht në bazë të nevojave operacionale.

Ndërkaq, një zëdhënës i Forcave Ajrore amerikane nuk dha detaje për lëvizjen e avionëve, por theksoi se mjetet ajrore amerikane zhvendosen mes bazave dhe lokacioneve të ndryshme për arsye të ndryshme operative.

Ky zhvillim vjen disa javë pasi Uashingtoni tërhoqi bombarduesit nga baza RAF Fairford, pas një incidenti të dyshuar të sigurisë me lidhje të mundshme me Iranin.

Në shtator, pesë persona u arrestuan jashtë kësaj baze në jugperëndim të Anglisë, ndërsa dy të tjerë u arrestuan më vonë nën dyshimin se kishin ndihmuar inteligjencën iraniane. Rrethanat e plota të incidentit ende nuk janë bërë të ditura.

Ngjarja tërhoqi vëmendje të madhe ndërkombëtare, në një kohë kur shqetësimet për pasojat e luftës mes SHBA-së dhe Iranit në sigurinë e vendeve perëndimore janë shtuar.

Pas incidentit, ushtria amerikane vendosi të largonte bombarduesit B-1 nga baza RAF Fairford për arsye sigurie. Kjo bazë ishte përdorur më parë nga bombarduesit amerikanë për të kryer sulme ndaj Iranit.

Në tetor, kryeministri Andy Burnham deklaroi se aktiviteti i dyshuar pranë bazës kishte gjasa të ishte koordinuar nga Irani. Megjithatë, ambasadori iranian në Britani i ka mohuar akuzat se Teherani ishte i përfshirë në ndonjë komplot kundër bazës ajrore. /Telegrafi/