SHBA-ja urdhëron largimin e disa diplomatëve nga Arabia Saudite

SHBA-ja urdhëron largimin e disa diplomatëve nga Arabia Saudite

Written by

in

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar largimin e disa punonjësve diplomatikë dhe familjarëve të tyre nga misionet amerikane në Arabinë Saudite, ndërsa po planifikojnë të tërheqin familjarët e personelit edhe nga disa misione të tjera në rajon.

Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters, në një kohë kur sulmet në Arabinë Saudite kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi se është urdhëruar largimi i punonjësve të qeverisë amerikane që nuk janë të angazhuar në shërbime emergjente, si dhe i familjarëve të tyre në Arabinë Saudite. Vendimi vjen pas sulmeve të kryera nga rebelët Houthi në Jemen, e mbështetur nga Irani, ndaj objektivave civile në këtë vend.

“Lëvizja Houthi, e mbështetur nga Irani, ka shtuar armiqësitë kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmet ndaj aeroporteve civile dhe infrastrukturës tjetër kritike, të cilat kanë shkaktuar viktima civile dhe ndërprerje të mëdha të udhëtimeve”, deklaroi Pigott.

Katër zyrtarë amerikanë i thanë Reuters se misionet e SHBA-së në shtetet e tjera të Gjirit po planifikojnë gjithashtu të urdhërojnë largimin e familjarëve të personelit. Megjithatë, Pigott nuk dha detaje për ndryshimet e mundshme në misionet jashtë Arabisë Saudite.

Vendimi për tërheqjen e personelit vjen pas përshkallëzimit të luftimeve në Jemen, duke hapur një front tjetër në konfliktin rajonal të nisur pas luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Konflikti më i gjerë ka penguar tregtinë globale të energjisë dhe ka dëmtuar ekonomitë e vendeve të Gjirit.

Pas urdhrit për largim, autoritetet e aviacionit civil të Arabisë Saudite raportuan një sulm në aeroportin ndërkombëtar King Fahd, në qytetin e Damamit, ku një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën.

Më herët gjatë ditës, dy persona u vranë pasi mbrojtja ajrore saudite shkatërroi një dron që po tentonte të godiste një objekt në fushën naftëmbajtëse Shaybah, në pronësi të kompanisë shtetërore Aramco, njoftoi Ministria e Energjisë.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Riad lëshoi të mërkurën një alarm sigurie për mundësinë e sulmeve të tjera nga Houthitë ndaj Arabisë Saudite. Paralajmërimi erdhi pas sulmeve të fundit vdekjeprurëse, përfshirë atë ndaj aeroportit të Riadit.

Në fillim të marsit, ambasada amerikane në Riad dhe një zyrë e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) që ndodhet aty u sulmuan me dronë, në kohën kur Irani kishte nisur sulmet në disa pjesë të rajonit.

Dy të vrarë dhe tetë të plagosur nga sulmi në aeroportin e Arabisë Saudite

Burimi: Dukagjini