Shefi i NATO-s: Rusët humbasin më shumë ushtarë në muaj sesa humbi SHBA-ja në të gjithë Luftën e Vietnamit

Shefi i NATO-s: Rusët humbasin më shumë ushtarë në muaj sesa humbi SHBA-ja në të gjithë Luftën e Vietnamit

Written by

in

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia po humb çdo muaj më shumë se 40 mijë ushtarë të vrarë ose të plagosur rëndë në luftën kundër Ukrainës.

Gjatë një fjalimi në Forumin e së Ardhmes së Atlantikut, më 11 nëntor, Rutte i krahasoi këto humbje me ato të ushtrisë amerikane gjatë 14 viteve të Luftës së Vietnamit, transmeton Telegrafi.

“Shtetet e Bashkuara humbën 56 mijë ushtarë gjatë 14 viteve në Vietnam. Ndërsa këtu, Rusia humb 40 mijë të vrarë ose të plagosur rëndë brenda një muaji. Të dhënat fillestare për tetorin tregojnë se kjo shifër mund të ketë arritur në mbi 50 mijë. Pesëdhjetë mijë brenda një muaji”, deklaroi Rutte.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po dështon në fushëbetejë, ndërsa shtoi se Moska po përpiqet të dobësojë vullnetin e Ukrainës për të vazhduar luftën përmes sulmeve ndaj popullsisë civile.

Sipas Rutte-s, Rusia po godet qytetet ukrainase me raketa dhe dronë, duke synuar edhe shkatërrimin e infrastrukturës kritike përpara dimrit.

Kreu i NATO-s akuzoi gjithashtu Moskën për shtimin e aktiviteteve armiqësore në vendet evropiane, përfshirë zjarrvëniet e qëllimshme, incidentet me dronë dhe sulmet kibernetike.

“Putini po përpiqet të na përçajë, të destabilizojë shoqëritë tona dhe të pengojë mbështetjen tonë për Ukrainën përmes zjarrvënieve, incidenteve me dronë, sulmeve kibernetike dhe aktiviteteve të tjera keqdashëse. Por duhet të jemi të qartë: ai po dështon. Për çdo sulm hibrid rus kundër vendeve tona, ne po i ofrojmë më shumë mbështetje Ukrainës”, tha Rutte. /Telegrafi/