Shiroka-Pula thirrje Luginës për pjesëmarrje masive në zgjedhje, “Koalicioni Shqiptar”

Shiroka-Pula thirrje Luginës për pjesëmarrje masive në zgjedhje, “Koalicioni Shqiptar”

Written by

in

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar” nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e kanë uruar për zgjedhjen në krye të shtetit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, gjatë takimit është diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 25 tetor 2026, si dhe për rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet serbe.

Shiroka-Pula ka përgëzuar përfaqësuesit politikë shqiptarë për bashkimin e tetë subjekteve në një listë të përbashkët zgjedhore, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.

Ajo ka theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për fuqizimin e përfaqësimit të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Sipas presidentes, rritja e numrit të përfaqësuesve shqiptarë në parlamentin serb do të krijonte më shumë mundësi për ngritjen e shqetësimeve lidhur me të drejtat e komunitetit shqiptar.

Në këtë drejtim, ajo ka përmendur shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve, për të cilat ka bërë përgjegjëse autoritetet serbe, duke theksuar nevojën që kërkesat e tyre të trajtohen në nivel institucional.

Në fund të takimit, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në procesin zgjedhor të 25 tetorit, me qëllim fuqizimin e përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Serbisë.

Takimi është zhvilluar në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku tetë subjekte politike shqiptare do të garojnë së bashku përmes listës “Koalicioni Shqiptar”./Telegrafi.