Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit. Ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Ajo po ashtu tha se, mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim.
Në këtë ceremoni, kryeministri Albin Kurti theksoi se gjatë këtyre viteve, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit, avancimin e legjislacionit, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë, si dhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit dhe risocializimit.
Kurti theksoi se institucionet korrektuese janë të domosdoshme për mbrojtjen e shoqërisë.
“Por, duhet të kemi gjithmonë parasysh se personat e burgosur apo të paraburgosur, ndonëse e humbin lirinë, nuk i humbin asnjëherë të drejtat e tyre. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe respektohen nga të gjithë ne, pavarësisht funksionit apo përgjegjësisë që mbajmë”, tha Kurti.
Ai tha se progresi i Shërbimit Korrektues të Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të rëndësishme ndërkombëtare.
Burimi: RTKLive
