Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë sqaron rastin e përleshjes mes nxënësve

Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë sqaron rastin e përleshjes mes nxënësve

Written by

in

Shkolla “Hysni Zajmi” në Gjakovë ka reaguar lidhur me përleshjen mes dy nxënësve të shkollave të mesme, e cila ndodhi më 20 nëntor në oborrin e këtij institucioni arsimor.

Në reagimin zyrtar, drejtoria e shkollës ka sqaruar se përleshja ndodhi rreth orës 12:35 dhe se njëri nga nxënësit e përfshirë ishte nga një shkollë tjetër.

Sipas shkollës, pas njoftimit për rastin, drejtori, zëvendësdrejtori dhe punëtori teknik kanë ndërhyrë menjëherë për t’i ndarë nxënësit.

“Gjatë ndërhyrjes, nxënësi, pasi është rrethuar nga stafi, ka nxjerrë një thikë dhe është larguar nga oborri i shkollës”, thuhet në reagimin e shkollës.

Drejtoria ka theksuar se drejtori dhe stafi nuk kanë qenë cak i sulmit, por kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar menjëherë dhe përfaqësuesit e saj kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është në kompetencë të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe organizata Activism Roots, e cila ka ngritur shqetësimin për, siç thotë, rritjen e rasteve të dhunës mes nxënësve.

Sipas kësaj organizate, ngjarja në shkollën “Hysni Zajmi” nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, pasi gjatë muajit të fundit janë shënuar edhe raste të tjera të dhunës mes nxënësve.

“Prej një viti, Activism Roots ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për rritjen e rasteve të therjeve dhe rrahjeve mes nxënësve. Këtë rritje e tregojnë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës. Çdo rast i ri na kujton se përgjigjet ad hoc nuk mjaftojnë”, thuhet në reagimin e organizatës.

Activism Roots u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e rasteve të tilla.

Organizata ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit që të vendosin protokolle të qarta të sigurisë për hyrjet në objektet dhe oborret e shkollave gjatë orarit mësimor.

Po ashtu, ka kërkuar që në çdo shkollë të mesme të sigurohet prania e psikologëve dhe punonjësve socialë, si dhe të krijohet një mekanizëm i përbashkët raportimi dhe përcjelljeje të rasteve të dhunës, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe drejtorive komunale të arsimit.

“Shkolla duhet të jetë vendi më i sigurt për fëmijët, jo vendi ku ata frikësohen”, përfundon reagimi i Activism Roots. /Telegrafi/