Shoferi në Angli ‘nuk i bëri matjet mirë’ – tentoi t’i ikte policisë, por përfundoi me makinën përmbys në një rrethrrotullim

Shoferi në Angli ‘nuk i bëri matjet mirë’ – tentoi t’i ikte policisë, por përfundoi me makinën përmbys në një rrethrrotullim

Written by

in

Një shofer i pamatur, i cili refuzoi të ndalonte për policinë gjatë një ndjekjeje me shpejtësi rreth 160 km/h, u ndalua në mënyrë të dhunshme pasi e përmbysi makinën e tij në një rrethrrotullim.

Hai Nguyen, 40 vjeç, një emigrant i paligjshëm, shpërfilli urdhrat e përsëritura për të ndaluar automjetin e tij “Audi A6”, ndërsa ndiqej nga oficerë të Policisë së Cheshire në autostradën M6.

Oficerët kishin tentuar ta ndalonin makinën pasi ishin njoftuar se ajo nuk ishte e siguruar – gjë që çoi në një ndjekje të rrezikshme me shpejtësi të lartë, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.

Një video dramatike, e publikuar nga policia, tregon Nguyen-in duke shpërfillur sirenën e makinës së policisë, ndërsa përshpejtonte për t’u larguar më 20 korrik.

“Ai e di që jam këtu, por nuk reagon – duhet ta shpallim këtë si një ndjekje”, dëgjohet të thotë një nga oficerët.

Pasi morën miratimin, oficerët u vunë në ndjekje, ndërsa Nguyen doli nga autostrada kryesore dhe u fut në M56 në drejtim të perëndimit, në juglindje të Liverpoolit.

Shoferi i rrezikshëm arriti shpejtësi deri në 100 milje në orë (rreth 160 km/h), duke lëvizur në korsi emergjence në një rrugë që ishte krejtësisht e errët.

Ai vazhdoi të lëvizte në korsi emergjence për rreth një milje (1.6 km), përpara se të dilte nga autostrada në kryqëzimin tjetër për të vazhduar arratisjen e tij.

Por Nguyen, pasi me sa duket e kishte vlerësuar gabim kthesën, priti tepër gjatë për të frenuar para se të hynte në rrethrrotullimin në krye të rrugës hyrëse – dhe u përplas me forcë te barrierat mbrojtëse.

Çuditërisht, Nguyen – i cili dukej se ishte hedhur nga vendi i tij – përpiqet të dalë jashtë përmes dritares.

Nguyen, i cili nuk ka një vendbanim të përhershëm por vjen nga Liverpool-i, u akuzua për drejtim të rrezikshëm të mjetit, drejtim pa sigurim, mosndalim me urdhër të një oficeri policie dhe posedim të pasurisë së përfituar nga veprimtari kriminale.

Ai i pranoi të katërta akuzat dhe, të hënën, në Gjykatën e Kurorës në Chester, u dënua me 12 muaj burg. /Telegrafi/