Real Madridi beson se gjashtë klubet angleze të Ligës Premier, Arsenali, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester United dhe Tottenhami, duhet të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve për krijimin e Superligës Evropiane, raporton “The Athletic”.
Nga 12 klubet themeluese të këtij projekti, nëntë u tërhoqën vetëm pak ditë pas njoftimit për krijimin e tij, në prill të vitit 2021. Përveç gjashtë klubeve angleze, nga projekti u larguan edhe Atletico Madridi, Milani dhe Interi.
Juventusi u tërhoq në vitin 2023, ndërsa në shkurt të vitit 2026, Barcelona dhe Real Madridi iu bashkuan zyrtarisht klubit italian.
Shpenzimet totale për përgatitjen dhe promovimin e projektit mund të arrijnë në 80 milionë euro. Aktualisht, këto kosto po mbulohen nga Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi.
Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit besojnë se klubet angleze vazhdojnë të kenë përgjegjësi ligjore për shpenzimet fillestare.
Argumenti i klubit madrilen bazohet në marrëveshjen e klubeve themeluese për pronësinë dhe menaxhimin e përbashkët të projektit.
Në anën tjetër, klubet angleze nuk pajtohen me këtë qëndrim. Ato besojnë se detyrimet e tyre përfunduan pas largimit nga Superliga Evropiane dhe kërkimfaljeve publike që bënë në atë kohë./Telegrafi/