
Një shpërthim i fuqishëm në një rafineri nafte në Bangkok të Tajlandës ka shkaktuar plagosjen e të paktën nëntë personave, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, në kompleksin industrial Phra Khanong, në lindje të kryeqytetit tajlandez, që operohet nga kompania energjetike Bangchak Corporation. Shpërthimi u pasua nga një zjarr i madh, ndërsa një re e dendur tymi të zi u përhap mbi zonën përreth.
Sipas autoriteteve, fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa tronditi dyert e banesave disa kilometra larg vendngjarjes. Ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në objekt, ndërsa banorëve të zonës dhe nxënësve të shkollave pranë rafinerisë iu kërkua të largoheshin për arsye sigurie.
Zjarri u vu nën kontroll brenda më pak se një ore, ndërsa banorët u lejuan më pas të ktheheshin në banesat e tyre. Megjithatë, autoritetet u kërkuan personave që jetojnë në një rreze prej pesë kilometrash nga rafineria të tregoheshin të kujdesshëm për shkak të rrezikut të ndotjes së ajrit.
Shërbimet përgjegjëse për monitorimin e ndotjes dërguan grupe në terren për të kryer matje të cilësisë së ajrit dhe ujit në zonën përreth.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali