Shpërthimi me katër të plagosur në Athinë, policia shpall në kërkim një shqiptar

Shpërthimi me katër të plagosur në Athinë, policia shpall në kërkim një shqiptar

Written by

in

Shpërthimi me katër të plagosur në Athinë, policia shpall në kërkim një shqiptar

Një shtetas shqiptar me precedentë penalë është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, pasi dyshohet se ka lidhje me shpërthimin e ndodhur më 21 tetor në lagjen Kolonos të Athinës, ku mbetën të plagosur dy civilë dhe dy policë.

Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi kur policia ndërhyri për të kontrolluar një çantë të dyshimtë, pas njoftimit nga banorët e një pallati. Gjatë kontrollit, njëri nga efektivët dyshohet se aktivizoi aksidentalisht një mekanizëm shpërthyes, duke shkaktuar shpërthimin.

Në çantë, sipas raportimeve, u gjetën heroinë, një peshore dhe një pajisje shpërthyese artizanale me fuqi të ulët. Si pasojë e shpërthimit, katër persona mbetën të plagosur, ndërsa njëri nga policët pësoi lëndime të rënda në dorë dhe në sy.

I dyshuari, i cili raportohet se ishte qiramarrës në të njëjtin pallat, dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes pas shpërthimit, duke lënë pas telefonat e tij celularë. Sipas mediave greke, ai ishte dënuar në vitin 2008 për trafikim të 100 gramëve kokainë dhe ishte liruar nga burgu në shtator.

Raportimet bëjnë të ditur se pas ngjarjes, shqiptari dyshohet se u kthye në banesë për të marrë disa sende personale, para se të largohej sërish.

Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të rastit, përfshirë mundësinë që shpërthimi të ketë lidhje me konflikte mes grupeve të përfshira në trafikun e drogës.

Identiteti i plotë i të dyshuarit nuk është bërë publik. Deri në një konfirmim zyrtar, pretendimet për përfshirjen e tij mbeten në nivel dyshimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali