Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibro, mëngjesin e sotëm kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit që shkatërroi një pallat në Elbasan dhe shkaktoi dy viktima.
Gazetarja e Top Channel, Bruna Kërçyku, raporton se ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë kanë nisur punën për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa në vijim pritet mbërritja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit, të cilët do të kryejnë një tjetër vlerësim të gjendjes së godinës.
Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka deklaruar se, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për strehimin e banorëve të prekur nga ngjarja, si dhe për ndërhyrjet e mëtejshme që do të kërkohen në varësi të vlerësimit të situatës. /Tch/