
Derisa në ShBA po mbahen zgjedhjet e mesmandatit, zgjedhje ka edhe në asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut.
Në këtë garë ka hyrë edhe shqiptaro-amerikani demokrat Shpëtim Qorraj, i cili ia ka mësyrë të bëhet asamblist në Nju Jork.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai tha se është hera e parë që garon, dhe po ashtu është hera e parë që një shqiptar demokrat i hyn kësaj gare me pëlqim të partisë.
“…Hera e parë që kandidoj si demokrat dhe jam me pëlqimin e partisë, dmth tash jam në garë qendrore… Hera e parë është që ka ndodhur në këtë distrikt (Staten Island dhe Brooklyn) që garon një shqiptar me pëlqimin e partisë demokratike…”, theksoi ai.
Shqiptaro-amerikani tha se pret votë nga çdo shqiptar, duke shtuar se aty ka shumë të tillë.
Qorraj tha se do t’i përfaqësojë të gjithë, megjithëse është shqiptar dhe do ta bëjë veçantinë.
“Unë jam shqiptar dhe i përfaqësoj interesat e komunitetit shqiptar. Patjetër që këtu jemi komunitet i llojllojshëm dhe duhet me i përfaqësu të gjithë, me dëshirën më të madhe, por natyrisht se si shqiptar zëri do të dëgjohet më mirë dhe do të kemi mundësi t’i shtyjmë proceset tona më përpara”, theksoi Qorraj.
Ai tha se në bazë të sondazheve, janë duke kryesuar, por shtoi se janë edhe rreth katër orë që kanë mbetur deri në mbylljen e vendvotimeve.
“Në bazë të parashikimeve që i kemi, besoj se sonte do të festojmë në Staten Island dhe Brooklyn”, deklaroi demokrati Qorraj.
Ndiqeni bisedën me Shpëtim Qorrajn: