
Shqipëria ka marrë një fitore të rëndësishme në stadiumin “Air Albania”, duke mposhtur pastër Finlandën me rezultat 2:0, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë kaluan në epërsi në minutën e 35-të, kur Ernest Muçi realizoi një gol fantastik nga distanca.
Me këtë epërsi minimale, të dyja skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve.
Në fillim të pjesës së dytë, Rey Manaj e dyfishoi rezultatin. Ai shfrytëzoi harkimin e saktë të Elseid Hysajt dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 2:0.
Finlanda tentoi të shënonte golin e ngushtimit të rezultatit, por shpresat e saj u shuan përfundimisht në minutën e 67-të, kur Tenho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër.
Me këtë fitore, Shqipëria ka shkuar në kuotën e 12 pikëve në Grupin 1, dy më shumë se Bjellorusia, e cila gjithashtu fitoi ndaj San Marinos.
Ndeshjen e fundit në grup, Shqipëria do ta zhvillojë pikërisht kundër Bjellorusisë. Kuqezinjve u mjafton një barazim për ta siguruar vendin e parë në grup dhe promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Burimi: Insajderi